Me rastin e festimeve të Pashkëve në Vatikan, Ambasadorja Majlinda Frangaj mori pjesë në Meshën e të Shtunës së Shenjtë në Vigjiljen e Pashkëve, e cila u mbajt në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan më datë 19 prill 2025.
Kremtimi i liturgjisë së Natës së Pashkëve këte vit nuk u kryesua nga Papa Françesku për arsye shëndetësore, por nga Dekani i Kolegjit të Kardinalëve Hirësia Tij Giovanni Batista Re, në bashkëkremtim me 34 kardinalë, 24 ipeshkvij dhe 34 meshtarë. Papa Françesku mbërriti në Bazilikën e Shën Pjetrit disa orë përpara fillimit të liturgjisë së Natës së Pashkëve për një kohë lutjeje dhe për t’u afruar me besimtarët që do të merrin pjesë.
E mbushur me pesë mijë besimtarë përfshirë të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit për këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Krishtit, liturgjia solemne nisi me kremtimin e ritit të Dritës , që filloi me bekimin e zjarrit të ri, i cili përgatit proçesionin drejt altarit qendror të Rrëfimit, shoqëruar me këngën latine të ngazëllimit, këngën e profecisë. “Vigjilja e Pashkëve na kujton se Drita e Ngjalljes e ndriçon rrugën hap pas hapi, shpërthen në errësirën e historisë pa zhurmë e strehohet në zemrat tona” thuhej në homelinë e Papës. Në qiriun e Pashkëve ishin gdhendur një Kryq Alfa dhe Omega dhe numrat e Vitit Jubilar 2025.
Në predikimin e përgatitur nga Ati i Shenjtë dhe lexuar nga Kardinali Giovanni Batista Re, Papa shprehet: “Drita e Krishtit të Ngjallur i ndriçoftë Zemrat tona” dhe shton “Ngjallja nuk zgjidh gjithçka në një mënyrë magjike, por e hap rrugën pak nga pak, edhe në mes të mosbesimit”. Papa nënvizon se shumë erëra vdekjeje po fryejnë ende dhe hijet e së keqes vazhdojnë marshimin e tyre të zhurmshëm në botë.
Vigjilja e Pashkëve, përfundoi me ceremoninë e tre pagëzimeve ku ndër të pagëzuarit edhe një studente shqiptare e Universitetit Katolik Sacro Cuore në Romë.







