Më datë 8 janar 2024 Ambasadorja Majlinda Frangaj mori pjesë në takimin tradicional me rastin e urimeve të fillim vitit, që Papa Françesku, mbajti në Sallën e Bekimeve në Vatikan, për 184 ambasadorët e akredituar pranë Selisë së Shenjtë.
Fjalimi i Papës ishte plot thirrje, nxitje dhe lutje. Papa Françesku, shprehu dhimbjen për Ukrainën, ku lufta po “gangrenizohet”, shqetësimin për tragjeditë në Kaukazin jugor dhe në rajone të ndryshme të Afrikës, si edhe për krizën në Nikaragua, që prek veçanërisht Kishën Katolike. Ati i Shenjtë vuri në dukje tronditjen për konfliktin në Lindjen e Mesme, pas brutalitetit të Hamasit në Izrael dhe reagimit ushtarak në Rripin e Gazës. “Të gjithë u tronditëm nga sulmi terrorist i 7 tetorit kundër popullsisë së Izraelit. Shumë njerëz të pafajshëm u plagosën, u torturuan dhe u vranë në mënyrë mizore dhe shumë u morën peng. Nuk zgjidhen kështu problemet ndërmjet popujve, përkundrazi, bëhen më të vështira duke shkaktuar vuajtje për të gjithë. Vërtet kjo shkaktoi përgjigjen e fuqishme ushtarake izraelite në Gazë, e cila shkaktoi vdekjen e dhjetëra palestinezëve, kryesisht civilë, përfshirë shumë fëmijë, adoleshentë dhe të rinj, shoqëruar me një gjendje shumë te rëndë humanitare dhe me një vuajtje të paimagjinueshme”, nënvizoi Ati i Shenjtë.
Papa Françesku u shpreh se viti 2024 po hapet me një sërë konfliktesh, të cilat dalëngadalë, po е shndërrojnë atë që ai vetë e quan “Luftë III Botërore pjesë-pjesë, në një konflikt të vërtetë global”. Për më tepër kudo në botë cënohet respektimi i të drejtave humanitare, denoncoi Papa.
Sipas Atit te Shenjte, nuk duhet harruar se dhunimet e rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare jane krime lufte, të cilat nuk mjafton të vihen në dukje, por duhen parandaluar.
Përballë ambasadorëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Papa Françesku përshkroi prioritetet e tij diplomatike, por mbi të gjitha rrugën drejt paqes, që kalon përmes çarmatimit integral, arsimit, ekonomisë, madje edhe kujdesit për krijimin, e sidomos respektit për jetën.
Papa propozon edhe një herë krijimin e një Fondi Global për ta zhdukur urinë në botë dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë planetit. Tema e energjisë bërthamore ishte gjithashtu pjesë e fjalimit të Papës, i cili përsëriti se është e pamoralshme të prodhohen dhe të posedohen armë bërthamore dhe kërkoi rifillimin e negociatave për Marrëveshjen Bërthamore iraniane.