Ambasadorja Majlinda Frangaj, si dhe të gjithë Ambasadorët e akredituar pranë Selisë së Shenjtë, u pritën, me 9 janar , në një takim për urimet e fillim vitit 2024 nga Princi dhe Mjeshtri i Madh i Urdhërit Sovran të Maltës, Frà John Dunlap.
Në fjalimin e tij, Frà John Dunlap, shqyrtoi rolin dhe rëndësinë e Urdhërit të Maltës, një istitucion tashmë në mijëvjeçarin e dytë të ekzistencës së tij. Frà Dunlap, u shpreh se për të shpjeguar plotësisht rëndësinë e rolit të Urdhërit të Maltës në botën e sotme, është e dobishme të kuptojmë proçesin domethënës të rinovimit që Urdhëri ka ndërmarrë vitin e fundit, aktivitetet e tij të përhapura në të gjithë botën, këndvështrimet e Urdhërit për shumë kriza që prekin kohën tonë si dhe kuptimin dhe vlerën e “Diplomacise Fetare”, në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Frà John Dunlap, solli në vëmendje se shumë ka ndryshuar gjatë vitit të kaluar për Urdhërin dhe ritmi i ndryshimit premton të vazhdojë edhe në Vitin e Ri 2024. Ai nënvizoi se një qeveri e re, e hapur ndaj reformave u zgjodh në fund të janarit 2023, ku u hartua dhe miratua një Kod dhe Kushtetutë e re, të cilat forcuan Urdhërin në shumë mënyra. “Por e rëndësishme është se Urdhëri i Maltës, doli nga proçesi i rinovimit me natyrën e tij si Urdhër fetar i rizbuluar dhe i ripërtërirë”, theksoi Frà John Dunlap. Ai kujtoi se qeveria e re sapo mori detyrën, nisi një sërë nismash të rëndësishme diplomatike.
Princi dhe Mjeshtri i Madh i Urdhërit te Maltës, kujtoi dhe rëndësinë thelbësore të marrëdhënieve të Urdhërit të Maltës jo vetëm me Ambasadat e akredituara në Selinë e Shenjtë, por dhe vlerësimin në marrëdhëniet informale me vendet e tjera mike. Ai theksoi se një nga prioritetet e Urdhërit të Maltës është rritja e numrit të vendeve në marrëdhëniet diplomatike, duke kujtuar se aktualisht kanë marrëdhënie diplomatike me 113 shtete: “Rëndësia e rritjes së marrëdhënieve diplomatike qëndron në një faktor kyç: ne mund t’i përgjigjemi në mënyrë më efektive krizave humanitare në vendet me të cilat mbajmë marrëdhënie diplomatike”.
Dunlap kujtoi se Urdhëri Sovran i Maltës kryen aktivitete humanitare në mbarë botën, pa dallim rajonesh, konsideratash politike apo statusit të përfituesve nga pikëpamja kulturore, fetare apo sociale. “Detyra për të ndihmuar të varfërit është vërtetë universale dhe Urdhëri përpiqet ta pasqyroje këtë universalitet në qasjen e tij ndaj problemeve të varfërisë botërore”, nënvizoi Fra Dunlap, duke theksuar se nuk merren ekskluzivisht me ndihmën humanitare ose për zhvillimin, por kushtojmë vëmëndje të veçantë edhe çështjeve të përfshirjes dhe kohëzionit social, kujdesit për të varfërit, të paaftët dhe të moshuarit në shumë vende të klasifikuara si ekonomi të përparuara. Ai pohoi se “për fat të keq, ekzistenca e ‘të varfërve të rinj’, pra e të varfërve që jetojnë në vendet e pasura është një realitet social dramatik dhe nevojat në këtë drejtim janë rritur ndjeshëm”.
Në fjalën të tij, kujtoi se Urdhëri i Maltës ka mobilizuar burimet në mbarë botën. Gjatë dy viteve të fundit, ka kryer një operacion të madh humanitar si në Ukrainë ashtu edhe në vendet fqinje dhe vende të tjera për të ndihmuar refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Ndihma këto që kanë marrë forma të ndryshme, nga ndihma mjekësore deri tek ajo psikologjike.
Princi dhe Mjeshtri i Madh i Urdhërit të Maltës solli në vëmendje këndvështrimin e Urdhërit për krizat e sotme. “Bashkëpunimi shumëpalësh dhe një sistem i bazuar në parimet universale të solidaritetit janë gjithashtu kërkesa për adresimin e çështjeve themelore të kohës sonë”, u shpreh ai, duke theksuar se “për fat të keq, sistemi ndërkombëtar duket se po lëviz në drejtim të kundërt”.



