Më datë 16 maj 2025, Ambasadorja Majlinda Frangaj mori pjesë në takimin që u zhvillua midis Ambasadorëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë dhe Papës së sapozgjedhur Leoni XIV. Në takimin me Ambasadorët, Ati i Shenjtë kujton veprimtarinë e diplomacisë që nuk synon “të kërkojë privilegje”, por “të takohet me çdo njeri në këtë tokë”. Papa bën thirrje për paqe e drejtësi dhe rithekson angazhimin e Kishës për përballimin e sfidave të migracionit, krijuar nga Inteligjenca Artificiale si dhe për përdorimin “e një gjuhë të sinqertë”. Në përfundim, na nxit “të ndërtojmë shoqëri të harmonishme”, duke investuar në familjen, themeluar mbi bashkimin e burrit me gruan.
Papa Prevost – i paraqitur me përshëndetjen e dekanit të trupit diplotmatik pranë Selisë së Shenjtë, George Poulides, ambasador i Republikës së Qipros – falënderon diplomatët për mesazhet e urimeve që i mori me rastin e zgjedhjes. “Disa – kujton Papa – kanë ardhur edhe nga vende me të cilat Selia e Shenjtë nuk ka marrëdhënie diplomatike: Kjo është një shprehje domethënëse e respektit, i cili inkurajon thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella”.
Papa Leoni XIV kujton, më tej, se veprimi i diplomacisë papnore “frymëzohet nga urgjenca baritore që e shtyn të mos kërkojë privilegje, por të shpeshojë misionin e saj ungjillor në shërbim të njerëzimit”.
Lufton çdo indiferencë dhe u bën vazhdimisht thirrje ndërgjegjeve, siç bëri pa u lodhur paraardhësi im i nderuar, gjithmonë i vëmendshëm ndaj britmës së të varfërve, të nevojtarëve dhe të braktisurve, si dhe ndaj sfidave që karakterizojnë kohën tonë, nga mbrojtja e krijimit, deri te inteligjenca artificiale.
“Prania juaj sot është dhuratë për mua. Më lejon të përtërij dëshirën e Kishës – dhe timen – për të shtrirë duart dhe për të përqafuar çdo popull dhe çdo njeri të kësaj toke, që e dëshiron të vërtetën dhe ka nevojë për drejtësinë e paqen!” – theksoi Papa Leoni, duke kujtuar përvojën e tij jetësore, ndërmjet Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut dhe Evropës, përfaqësuese e “aspiratës për të kaluar kufijtë e për të takuar njerëz dhe kultura të ndryshme”.
Duke kujtuar përsëri përvojën e tij të mëparshme si epror i përgjithshëm i Augustinianëve, e cila e shtyu të vizitonte vende të ndryshme gjatë gjithë jetës së tij, Papa siguron se “përmes punës së vazhdueshme dhe të duruar të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, ka ndërmend të konsolidojë njohuritë dhe dialogun me të pranishmit dhe me vendet e tyre”. E gjithë kjo “për të përforcuar në fe shumë vëllezër e motra të shpërndarë nëpër botë dhe për të ndërtuar ura të reja me të gjithë njerëzit vullnetmirë”.
Leoni XIV u ndalua, më pas, te shtylla e “paqes”, fjalë që shpesh konsiderohet “negative”, e kuptuar, “si mungesë e thjeshtë e luftës dhe e konfliktit, meqenëse kundërvënia është pjesë e natyrës njerëzore e na shoqëron gjithmonë, duke na shtyrë shumë shpesh të jetojmë në “gjendje konflikti të vazhdueshme: në shtëpi, në punë, në shoqëri”.
E parë në këtë këndvështrim, përsëriti rëndësinë e kontributit që fetë dhe dialogu ndërfetar mund të japin për të favorizuar kontekste paqeje. “Kjo kërkon natyrshëm respekt të plotë për lirinë fetare në çdo vend, pasi përvoja fetare është përmasë themelore e personit njerëzor, pa të cilën është e vështirë, nëse jo e pamundur, të arrihet pastrimi i zemrës, i nevojshëm për të ndërtuar marrëdhënie paqësore”. Duke u nisur nga kjo punë, është e mundur të “zhduken premisat e çdo konflikti dhe çdo dëshire shkatërruese për pushtim”, vijoi Papa Leoni.
Fjala e dytë, për të cilën reflektoi Papa, është drejtësia, si pasojë e natyrshme e paqes. “Ndjekja e paqes kërkon praktikimin e drejtësisë”, u kujtoi ambasadorëve. Ashtu si në takimin e parë me kardinalët, shpjegon se e zgjodhi emrin papnor duke menduar për Leonin XIII, “Papa i enciklikës së parë të madhe shoqërore “Rerum novarum”, e cila i dha shtytje angazhimit të Kishës për drejtësi ndërmjet popujve.
Së fundi del në pah edhe fjala e tretë: e vërteta. “Marrëdhënie vërtet paqësore nuk mund të krijohen as brenda bashkësisë ndërkombëtare, pa të vërtetën”, përfundon Papa Leoni. “Atje ku fjalët marrin kuptime të paqarta dhe dyvlerëshe dhe bota virtuale, me perceptimin e saj të ndryshuar të realitetit, mbizotëron pa kontroll, është e vështirë të ndërtohen marrëdhënie autentike, pasi mungojnë premisat objektive dhe reale të komunikimit”.
Para se të përfundonte, Leoni XIV përmendi Jubileun aktual, kushtuar shpresës: “një kohë kthese e ripërtëritjeje për t’i lënë pas mosmarrëveshjet”dhe për të filluar një shtegtim të ri, të frymëzuar nga shpresa për të qenë në gjendje të ndërtojmë, duke punuar së bashku, secili sipas ndjeshmërive dhe përgjegjësive të veta, një botë ku çdo njeri mund të realizojë humanizmin e tij në vërtetësi, në drejtësi e paqe, nënvizoi Papa Leoni XIV.
Urim që Pasardhësi i Pjetrit e shtrin në të gjitha gjitha kontekstet e botës, duke nisur nga ato më të vuajturat si Ukraina dhe Toka e Shenjtë.






