Më datë 28-29 shtator 2023, në Universitetin Papnor Gregorian në Romë u mbajt Konferenca “DIALOGU NDËRFETÀR: KONTRIBUTI I SHQIPËRISË NË BALLKAN”, nën patronazhin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë si dhe të Ambasadës italiane pranë Selisë së Shenjtë. Konferenca u drejtua,në rolin e moderatorit, nga Profesor Ambrogio Buongiovanni, Drejtori i Qendrës për Studime Ndërfetare në Universitetin Papnor Gregorian.

Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë Majlinda Frangaj filloi fjalimin e saj duke u shprehur: “Ata që besojnë në superioritetin e tyre nuk shkojnë kurrë drejt rrugës së dialogut”. Ajo nënvizoi se “shekulli i 21 filloi si një shekull ku ndër-pavarësitë e fatit të kombeve dhe besimeve janë shumë komplekse, një shekull sprovash të vështira kur bëhet fjalë për paqen dhe solidaritetin, sepse ekziston mundësia e keq përdorimit të ndjenjave fetare për të prodhuar dhunë”. “Por, dialogu ndërkulturor dhe ndërfetar midis qytetërimeve mund të ndalojë konfliktet e mëdha” theksoi Ambasadorja. Ajo nënvizoi se pengesa e parë drejt rrugës së dialogut është përjashtimi i mënyrës së të menduarit midis “NE” dhe “ATA“, që janë përkatësisht Perëndimi dhe Lindja. “Është e nevojshme që në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor të njihet ai që perceptohet si ‘tjetri’ [….] dialogu në pozicione të ndryshme, ndërton një marrëdhënie përjashtimi […]Besimtarët e çdo feje në botë duhet të kontribuojnë në parandalimin që feja të jetë burim i konflikteve të hapura. Bota sot karakterizohet nga lëvizjet e popujve dhe shkëmbimet e kulturave. Besimet fetare mund të luajnë një rol të rëndësishëm në paqen botërore, por pa respektimin dhe pranimin e pluralizmit dhe diversitetit, kjo është e pamundur”, u shpreh Frangaj.

Ambasadorja Frangaj u ndal në rastin e Shqipërisë duke theksuar se ka tolerancë fetare dhe dialog ndërfetar, dhe nuk është një produkt i epokës moderne, por është një traditë që vjen nga thellësia e shekujve. “Besimet e ndryshme fetare në Shqipëri, edhe pse paraqesin karakteristika dhe individualitete të veçanta dhe origjinale, nuk kanë çuar kurrë në konflikte siç ka ndodhur dhe ndodh ende në vende të tjera. Diversiteti kulturor i popullsisë shqiptare është shoqëruar gjithmonë me bashkëjetesë brenda parametrave të tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar”, u shpreh ajo.
Fjalë përshëndetëse mbajti dhe Ambasadori italian pranë Selisë së Shenjtë Francesco di Nito, i cili theksoi se pranoi ftesën pasi në konferencë do të flitet për dialogun ndërfetar në Shqipëri, një temë shumë e rëndësishme për të dhe se Italia e Shqipëria janë dy vende të afërta të cilat i lidh historia. Gjithashtu fjalë përshëndetëse u mbajtën dhe nga P.Pino di Lucio zëvendës rektor i Universitetit Papnor Gregorian, Prof. Skënder Topi rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Imzot. Indunil J.K. Kodthuwakku sekretar i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar në Vatikan, si dhe Arben Ramkaj President i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan.

Në konferencën “DIALOGU NDËRFETAR: KONTRIBUTI I SHQIPËRISË NË BALLKAN”, morën pjesë dhe relatorë nga Shqipëria, kryesisht nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan si dhe Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan. Relatorët nga istitucionet italiane dhe ato papnore diskutuan mbi tema të ndryshme: Dekani i Fakultetit Papnor Teologjik të Italisë së Jugut, P.Mario Imperatori, diskutoi mbi temën “Identità del dialogo interreligioso tra politica e teologia – Identiteti i dialogut ndërfetar ndërmjet politikës dhe teologjisë”; Andrea Benzo, i dërguari special i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë për mbrojtjen e lirive fetare dhe dialogun ndërfetar, diskutoi mbi temën Libertà Religiosa e il Dialogo Intereligioso tra valori Universali e specifici locali – Liria fetare dhe dialogu ndërfetar midis vlerave universale dhe atyre specifike lokale”; Gaetano Piccolo Dekan i Fakultetit të Filozofisë të Universitetit Papnor Gregorian me kumtesën,”Relativismo religioso e secolarizzazione: Le sfide e le occasioni del presente – Relativizmi fetar dhe shekullarizimi: Sfidat dhe mundësitë e së tashmes”. Të pranishmit, në përfundim drejtuan pyetje relatorëve për informacione të mëtejshme.

