Më datë 28 shkurt 2023, e Ngarkuara me Punë znj. Majlinda Frangaj mori pjesë në Koncertin organizuar nga Ambasada e Ukrainës pranë Selisë së Shenjtë me rastin e një vjetorit të përkujtimit të trishtë të pushtimit të Ukrainës. Ndërsa më 21 shkurt 2023, znj. Frangaj, mori pjesë në Meshën e Shenjtë organizuar nga Ambasada e Ukrainës, në Bazilikën e `San Andrea della Valle’, Kisha kushtuar Shenjtorit Andrea, i cili është një nga më të nderuarit në Ukrainë.
Kjo Meshë, u kryesua nga Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare (Ministër i Jashtëm) Imzot Paul Richard Gallagher. Ambasadori i Ukrainës i akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Andrii Yurash, në Meshën datës 21 shkurt 2023, shprehu falenderimet e tij për “lutjet për Ukrainën në prag të një date të trishtë, përvjetorit të parë të agresionit nga Rusia, agresionit që ndaloi zhvillimin normal jo vetëm të Ukrainës, por edhe të gjithë botës së qytetëruar”. “Ukraina dhe ukrainasit – u shpreh ai – janë mirënjohës për të gjitha llojet e ndihmës që marrim: pajisjet, financimet, mbështetjen politike, mallrat humanitare, ndihmën për njerëz të veçantë dhe për refugjatët ukrainas në përgjithësi, të cilët sot po gjejnë strehim të përkohshëm në shumë vende”. Ai theksoi se ukrainasit janë mirënjohës dhe për lutjet e pandërprera për vendin е tyre nga vende të ndryshme të botës dhe në veçanti për lutjet e Papa Françeskut e cila recitohet pothuajse në çdo Meshë të Shenjtë.
Pas përfundimit të Meshës u mbajt një koncert, ku sipas Ambasadorit Yurash, “nuk është një koncert i thjeshtë, por një reflektim shpirtëror mbi vuajten që jeton populli i Ukrainës”. “Reflektimet shpirtërore të ofruara nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit ‘Mykola Lysenko’ në Kharkiv janë të jashtëzakonshme, jashtëzakonisht simbolike sepse ky teatër vuajti nga agresioni më shumë se të gjitha teatrot në Ukrainë. Prandaj sot nuk do jemi vetëm dëshmitarë të ngjarjes muzikore, por do të dëshmojmë se si muzika vazhdon lutjen tonë”, nënvizoi Ambasadori i Ukrainës i akredituar pranë Selisë së Shenjtë.



