Më datë 29 qershor 2023 e Ngarkuara me Punë Majlinda Frangaj, mori pjesë në Meshën kryesuar nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, me rastin e Festës së Shën Pjetrit e Shën Palit, e cila u mbajt në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
Me rastin e festës së 29 qershorit, që kremton dy apostujt, Pjeter e Pal, Papa Françesku i ftoi besimtarët të ndjekin forcën, bujarinë dhe përvujtërinë e tyre. “Bota nuk ka nevojë për mbinjeriun, por për njerëz të vërtetë, siç ishin apostujt Pjetër dhe Pal, solemniteti i të cilëve kremtohet sot 29 qershor”, nënvizoi Papa.
Pas Meshës, Ati i Shenjtë e nënvizoi “humanitetin” e tyre edhe në Ëngjillin e Tënzot, kremtuar nga dritarja e Pallatit Apostolik ne Vatikan. Papa Françesku kujtoi se mbi Shën Pjetrin, emri i të cilit “do të thotë shkëmb, gur, ose thjesht gur i vogël, Jezu Krishti ndërtoi Kishën e tij”, duke vënë në dukje më tej edhe tre aspekte të jetës së apostullit “forcën e shkëmbit, besueshmërinë e gurit dhe vogëlsisë e guralecit”. “Pjetri me jetën e tij ishte shkëmb, në shumë çaste i fortë dhe i palëkundur, i sinqertë deri në martizim …Ai ishte gur, që u ofroi mbështetje të tjerëve, i mbështeti vëllezërit në ndërtimin e Kishës, e cila është pikë referimi për gjithë bashkësinë e krishterë, ai ishte dhe guralec kur shpesh dilte në pah vogëlsia e tij, e njeriut që pushtohet nga frika, por pastaj pendohet dhe derdh lotë hidhërimi”, nënvizoi Papa Françesku.