Hapja Zyrtare e Ambasadës së parë Shqiptare në Australi
Ceremonia e ngritjes së Flamurit shqiptar në sheshin e Misioneve Diplomatike në Australi dhe vendosja e pllakës ALBANIA.
Në datën 20 nëntor 2020, Ambasada e RSH në Australi, në bashkëpunim me MPJ të Australisë, NCA (National Capital Authority) dhe komunitetin shqiptar në Kanberra, organizuan ceremoninë për ngritjen e Flamurit shqiptar dhe vendosjen e pllakës ALBANIA në sheshin e Misioneve Diplomatike (International Flag Display), ku cdo mision diplomatik i akredituar në Australi ka simbolet kombëtare.
Në mëngjesin e dt. 20 nëntor 2020 në sheshin e misioneve diplomatike, pranë Parlamentit të Australisë kishin ardhur për të marrë pjesë shqiptarë nga komuniteti që jeton në kryeqytet, si dhe disa gazetarë nga mediat kryesore të Kanberras. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës z. Hajdin Abazi, së bashku me stafin e Ambasadës. Ceremoninë e ndoqën edhe një grup nxënësish të shkollave australiane që zhvilluan me këtë rast një mësim tregues gjatë ceremonisë nën drejtimin e profesorëve të tyre.
Të pranishmit u përshëndetën nga I Ngarkuari me Punë a.i., Dr. Edmond Trako dhe në vijim u kalua në dëgjimin e Himneve Kombëtare të Australisë dhe Shqipërisë. Nën tingujt e Himnit tonë Kombëtar u bë dhe ngritja e Flamurit shqiptar, për herë të parë në atë shesh honorifik dhe sinjifikativ të kryeqytetit australian. Në mbarim të ceremonisë dhe fotove të rastit, pjesëmarrësit u ftuan në një pritje festive në ambientet e Ambasadës RSH në Kanberra.
Ngritja e Flamurit shqiptar në International Flag Display dhe vendosja e pllakës ALBANIA shënuan njëkohësisht përfundimin e procedurave për hapjen dhe njohjen zyrtare të Ambasadës së RSH në Australi.
Kjo ceremoni dhe aktivitetet qe u zhvilluan me këtë rast kanë bërë jehonë dhe gjetur pasqyrim si në mediat vendase, ashtu edhe në ato të Shqipërisë e Kosovës. Gazeta më e madhe e kryeqytetit “Canberra Times“ botoi një artikull të vecantë për këto aktivitete të shoqëruar dhe me një fotografi, kurse Stacioni shtetëror SBS (Special Broadcasting Service) i Melburnit në programin e saj në gjuhën shqipe i bëri jehonë kësaj ceremonie duke transmetuar edhe një intervistë me të Ngarkuarin me Punë a.i. në Ambasadën e Shqipërisë në Kanberra (audiomedia-sbs.akamaized.net). Po ashtu, në Shqipëri lajmi dhe një intervistë u transmetuan nga Diaspora shqiptare.al; TV Klan Opinion.al, dhe një numur portalesh në Tiranë e Kosovë (urbanlajme.net; tirananews.al; dardaniapress.com; javanews.al; veritas.com; etj)
Bashkëlidhur artikulli i gazetës “Canberra Times“ dhe një set fotografish nga ngritja e flamurit dhe vendosja e pllakës ALBANIA.