Përshëndetje nga Ambasada e Shqipërisë në Canberra

I nderuar lexues,
Mirësevini në faqen zyrtare në Internet, të Ambasadës së Shqipërisë në Canberra.
 
Pas disa vitesh pune në Tiranë në disa drejtori të MEPJ, ashtu si para 6 vjetësh në Portugali, mu besua detyra, apo sfida e re për hapjen e Ambasadës së parë shqiptare në Australi.
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Australisë janë vendosur në vitin 1984. Këto marrëdhënie janë cilësuar gjithmonë miqësore dhe dashamirëse. Në një frymë pozitive bashkëpunimi në rritje, erdhi edhe vendimi i Qeverisë Shqiptare për të hapur Ambasadën e parë shqiptare në Canberra, si një dëshmi e synimeve të përbashkëta për çuarjen më tej të marrëdhënieve tona jo vetëm në fushën politike. Shkëmbimi ekonomik, tregëtar, bujqësia, kultura dhe arti, janë disa nga fushat e tjera të këtij bashkëpunimi. Këto janë dhe objektivat tanë themelorë.
 
Kjo faqe në internet ofron një larmi informacioni dhe artikuj lajmesh që shpresojmë se do të jenë të dobishëm për ju. Në këtë website do të gjeni informacion mbi Shqipërinë, mbi Institucionet shqiptare, historiku i marrëdhënive dypalëshe me Australinë, Informacion mbi Komunitetin shqiptar në Australi, Konsujt e Nderit të Shqipërisë në Australi, Shërbimet që afron ambasada, në vecanti Shërbimi Konsullor online (SHKO), aktivitetet tona, etj.
 
Pavarësisht nëse planifikoni të vizitoni Shqipërinë si turist, të bëni biznes në Shqipëri, konsideroni të studioni këtu, ose të përfshini aktivitete kulturore ose artistike, mund të gjeni disa informacione dhe këshilla të para praktike në faqen e internetit, ose përmes lidhjeve në faqet e tjera.
 
Nga ana tjetër, Seksioni Konsullor i Ambasadës me ndihmën edhe të Konsullatave të Nderit të Shqipërisë në Australi dhe në Zelandën e Re, është i gatshëm t'ju ndihmojë të gjeni përgjigje për pyetjet tuaja dhe në çështje më specifike ku keni nevojë për këshilla ose ndihmë. Ne kemi përgjegjësinë e ndihmës konsullore të qytetarëve shqiptarë në këtë rajon. Po ashtu tek ne mund të drejtohen edhe qytetarët e vendeve të rajonit të Oqeanisë që kanë nevojë për shërbime të ndryshme konsullore.
 
Uebsajti është bërë për ju - kështu që ju lutemi na kontaktoni me sugjerimet tuaja për përmirësime. Ato mund të ndihmojnë vizitorët e tjerë në të ardhmen. Ne gjithashtu jemi shumë të interesuar të marrim informacione rreth ngjarjeve të ardhshme shqiptaro-australiane, të cilat mund t'i postojmë në faqen e internetit.
 
Nëse preferoni të vizitoni Ambasadën, mund të na gjeni përmes hartës lokale që do ta gjeni gjithashtu në këtë website. Përndryshe na dërgoni një e-mail, ose na telefononi gjatë orarit të punës. Bazuar tek Marrëveshjet dhe Protokolli i Bashkëpunimit me Republikën e Kosovës, ashtu si edhe në disa vende të tjera (Itali-Milano, Danimarkë, Gjermani – Mynih), Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës edhe në Australi do të jenë në të njëjtën godinë, në kate, hyrje të ndryshme, si dhe me simbole kombëtare dhe personel  të vecantë, por me frymë e dëshirë bashkëpunimi dhe ndihme reciproke.
 
Unë falenderoj vizitën tuaj dhe shpresoj që në informacionet e faqes tonë web të gjeni përgjigjet e konsultave tuaja.  Në rast se do të doni më shumë informacion, mund të na shkruani në postën elektronike të Ambasadës: embassy.canberra@mfa.gov.al
Faleminderit!
Dr. Edmond Trako
Charge d’Affairs

Adresa




Embassy of the Republic of Albania
13 Culgoa Circuit, O’Malley
Canberra, ACT 2606
AUSTRALIA

Kontakte




Tel: +61 2 6290 2332
Fax: +61 2 6290 6974
Emergency call: +61 450 977 145
Lutemi, që ky numër të përdoret vetëm në raste urgjente.

   Orari zyrtar
    09:00 – 17:00




Orari i shërbimit konsullor:
Të Hënë deri të Premte, 09:00 – 13:00.
Telefon për informacione rreth shërbimit konsullor:
Të Hënë deri të Premte, 09:00 – 13:00.
Shërbimi konsullor është i mbyllur në ditët e festave zyrtare dhe të fundjavës, me përjashtim të rasteve të emergjencës.