Më 8 nëntor 2024 Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Vjenë nisi një rrugëtim të ri diplomatiko-kulturor me titull “Një urë e quajtur kulturë”, një iniciativë që ka për qëllim krijimin e një atmosfere të re brenda trupit diplomatik në Vjenë, njohjen e vlerave më të mira kombëtare midis përfaqësive diplomatike dhe komuniteteve përkatëse.
Veprimtaria e parë nisi në Ambasadën e Ukrainës me praninë e ambasadorëve nga vende të ndryshme, funksionarëve të ministrisë së punëve të jashtme austriake, si dhe miqve nga arti e kultura vjeneze, ukrainase e shqiptare. Në këtë veprimtari që u hap nga ambasadorët e Ukrainës z.Vasyl Khymynets dhe i Shqipërisë z.Fate Velaj u shfaqën video nga dy vendet, u lexuan pjesë nga letërsia ukrainase e shqipe: Ambasadori Khymynets lexoi pjesë nga romani “Kronikë në gur” si dhe poezi të Ismail Kadaresë, ndërsa Ambasadori Velaj lexoi poezi të Taras Shevchenkos – poetit kombëtar ukrainas – si dhe pjesë nga libri “Kronikë e një pushtimi” i shkrimtarit ukrainas Andrey Kurkov. Më tej, violinistja shqiptare Eni Maqellari luajti fillimisht disa pjese muzikore nga kompozitoret shqiptare dhe me tej pjesë ukrainase me banduristin ukrainas B.Shutka. Në takim ishte i ftuar edhe shkrimtari austriak Wolfgang Wagner, që lexoi pjesë nga romani i tij i fundit “Besa”.