Më 8 nëntor 2024 u organizua në Ambasadë një mëngjes pune me kryesinë e Shoqatës së Miqësisë Austri Shqipëri, që drejtohet nga Dr. Arno Riedel (ish-ambasadori austriak në Tiranë gjatë viteve 1998-2001) dhe në përbërje të saj ka deputetë të parlamentit austriak, diplomatë, funksionarë nga ministri të ndryshme austriake dhe shumë dashamirës të Shqipërisë. Në mëngjesin e punës mori pjesë z.Arno Riedel, deputeti Christian Ragger, znj. Mailind Gärtner, sekretare e përgjithshme e shoqatës dhe katër anëtarë të kryesisë.
Ambasadori Velaj bëri një parashtrim të punës së realizuar gjatë këtyre pesë muajve si ambasador, prezantoi strategjinë për vitin e ardhshëm në fushat e diplomacisë, ekonomisë, arsimit dhe turizmit, si dhe u shkëmbyen mendime për rritjen e bashkëpunimit dhe organizimit të veprimtarive të përbashkëta në të ardhmen.