Ambasadori Fate Velaj zhvilloi një vizitë pune në kryeqytetin e Landit të Stirisë (Steiermark), Grac ku u prit dhe zhvilloi një takim me kryetaren e bashkisë së Grac-it znj.Elke Kahr dhe me vonë zhvilloi një vizitë në kompaninë “Neuroth” .
Në takimin me Kryetaren Kahr, u nenvizua fakti në 100 vitet e fundit Graci ka qenë një shtëpi e madhe e shqiptarizmit. Ishte ky qytet që mirëpriti në fillim të viteve 1920 poetin Lasgush Poradecin, gjuhetarin Eqrem Çabej, mjekun Vasil Labovitin, etj. Është po ky Graz që sot është shtëpia e madhe e vajzave dhe djemve shqiptarë, të cilët e përzgjodhën këtë qytet direkt pas vitit 1991 dhe gjetën po të njejtën mikpritje dhe sot shumë studentë që janë ulur auditorëve të universitetit të famshëm. Ambasadori informoi mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, përpjekjet për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në BE, potencialin e madhe në turizëm dhe diskutoi për mundesitë që ofron Shqipëria për investime të ndryshme, ku prania edhe më e madhe e Austrisë dhe e Grac-it ishin të mirëpritura.
Ambasadori nënvizoi objektivin e tij për rivitalizimin e bashkëpunimit midis qytetit të Shkodrës dhe Grac-it dhe rivendosjen e partneritetit midis të dy bashkive. Ai e ftoi kryetaren Kahr të zhvillojë një vizitë në Shqipëri dhe Shkodër për të parë me sytë e vete mundësitë e bashkëpunimit.
Ambasadori kërkoi mbështetjen e kryetares së Bashkisë për vendosjen e një pllake përkujtimore ose bazorelieve në shtëpinë në Grac, ku ka jetuar rreth 10 vite (1924-1934) poeti ynë i shquar Lasgush Poradeci.
kryetarja e Bashkisë së Grac-it, qyteti i dytë më i madh në Austri dhe një nga rajonet më të industrializuara në Austri, vlerësoi vizitën si një tregues i dëshirës për intensifikimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve. Ajo shprehu gatishmërinë për rigjallërimin e bashkëpunimit me Bashkinë e Shkodrës dhe u shpreh e gatshme që të presë kryetarin e Bashkisë dhe të mbështesë projekte konkrete dhe ofrojë përvojën e saj. Në lidhje me vendosjen e pllakës perkujtimore/bazoreliefit për Poradecin, ajo premtoi se do ta ndjekë këtë cështje me strukturat përkatëse dhe pronarët e godinës.
Në takimin me Presidentin e kompanise “Neuroth” Lukas Schinko, një nga kompanitë më të mëdha evropiane në prodhimin e aparateve të dëgjimit (me 280 filiale në 8 shteteve evropiane dhe me mbi 1300 punonjës) u diskutua mbi mundësinë e hapjes së një filiali të kësaj kompanie cilësore edhe në Shqipëri.





