Më 29 tetor, në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bruksel u organizua një pritje me pjesëmarrjen e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, si dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Belgjikë dhe Luksemburg.
Aktiviteti vuri në pah rolin e rëndësishëm që diaspora shqiptare luan në jetën shoqërore, akademike dhe ekonomike të vendeve ku jeton, duke kontribuar aktivisht në administratë, universitete, kompani ndërkombëtare, si dhe në fushën e artit dhe kulturës.
Ministrja Spiropali vlerësoi angazhimin dhe kontributin e shqiptarëve në diasporë, duke i cilësuar si ambasadorë të vlerave shqiptare në botë. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për përpjekjet e vazhdueshme në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe ndër breza, veçanërisht në qytete si Namur, Antverpen dhe Bruksel.
Në këto qytete, përmes iniciativave komunitare dhe edukative, fëmijëve shqiptarë u ofrohet mundësia të mësojnë gjuhën amtare, historinë dhe kulturën shqiptare, duke forcuar identitetin e tyre kombëtar dhe lidhjen me vendin e origjinës.
Diaspora shqiptare vijon të mbetet një urë e rëndësishme lidhëse mes Shqipërisë dhe vendeve të Evropës, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve dhe promovimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.


