Më 9 nëntor 2025, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë, znj. Albana Dautllari, mori pjesë në meshën e organizuar në Brugge nga Bashkësia Katolike Shqiptare në Belgjikë, nën drejtimin e Don Kastriot Idrizit.
Kjo meshë u mbajt me rastin e Kushtimit të Bazilikës së Shën Gjon Lateranit në Romë. Ceremonia mori një kuptim të veçantë për komunitetin shqiptar, pasi u zhvillua në kuadër të përvjetorit të lumturimit të Martirëve Shqiptarë, një moment domethënës që kujton sakrificën, qëndresën dhe besimin e tyre të patundur në vlerat shpirtërore dhe njerëzore.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Dautllari vlerësoi rolin e Bashkësisë Katolike Shqiptare në Belgjikë si një shembull të gjallë të ruajtjes së identitetit kombëtar, vlerave shpirtërore dhe unitetit të shqiptarëve në diasporë. Ajo shprehu mirënjohje për Don Kastriot Idrizin dhe gjithë anëtarët e komunitetit për përkushtimin e tyre në forcimin e lidhjeve shpirtërore e kulturore mes shqiptarëve në Belgjikë dhe atdheut.
Pjesëmarrja e Ambasadës në këtë aktivitet dëshmon vlerësimin dhe mbështetjen e shtetit shqiptar për rolin e diasporës në ruajtjen e traditave, bashkëpunimin dhe solidaritetin ndërmjet bashkëatdhetarëve.


