Më 3 tetor 2025, në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bruksel, u zhvillua një pritje me rastin e marrjes së detyrës nga Ambasadorja Albana Dautllari.
Në pritje ishin të ftuar përfaqësues të shoqatave shqiptare që veprojnë në Belgjikë, si dhe anëtarë të komunitetit shqiptar.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Dautllari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin shqiptar në Belgjikë, me profesionistët, sipërmarrësit dhe përfaqësuesit e shoqatave shqiptare që kontribuojnë në jetën shoqërore dhe kulturore të vendit.
Ajo u shpreh e përkushtuar për të forcuar lidhjet midis Ambasadës dhe shoqatave shqiptare, me synimin për të krijuar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe efektiv në promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar.
Ambasadorja nënvizoi gjithashtu se Ambasada do të mbetet një urë lidhëse dhe mbështetje për komunitetin, duke inkurajuar nisma të përbashkëta që ndihmojnë në integrimin, afirmimin dhe suksesin e shqiptarëve në Belgjikë.
Në përmbyllje, ajo riafirmoi angazhimin për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Belgjikës, përmes përfshirjes aktive të diasporës si një partner i rëndësishëm në këtë proces.


