Vjenë, 15 qershor 2024 | Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Austri nisi një cikël aktivitetesh për vlerësimin e personaliteteve të shquara shqiptare të cilët jetojnë dhe punojnë në Austri.
“Mirënjohje për merita të veçanta” është medalja që do iu jepet bashkëkombësve, të cilët me arritjet e tyre profesionale dhe angazhimin në shoqërinë austriake, kanë ngritur lart jo vetëm emrin e tyre të mirë e të respektuar, por edhe atë të Shqipërisë.
Kjo nismë e Ambasadorit të RSh-së në Austri, Fate Velaj, do të zhvillohet pikërisht në qytetet ku ata banojnë dhe kontribuojnë pasi ka për qëllim të rrisë ndjenjën e përkatësisë kombëtare tek shqiptarët dhe t’u tregojë vendasve se këto personalitete vijnë nga një hapësirë historike dhe kulturore që mbart vlerat themelore të Evropës së djeshme, të asaj të sotme dhe të nesërme.
Këtë model vlerësimi e nisëm me Dr. Andi Binaj, shef i Departamentit të Radiologjisë dhe nëndrejtor i spitalit rajonal Melk.
Në një ceremoni të zhvilluar në bashkinë e qytetit Mautern an der Donau, në krah të flamurit kombëtar shqiptar dhe atij austriak, ishte kryetari i Bashkisë, Henrich Brustbauer, i cili iu uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe vlerësoi lart figurën e Dr. Binaj.
Në fjalën e tij, Ambasadori Velaj tha se kjo nismë kishte për qëllim edhe shndërrimin e këtyre personaliteve shqiptaro-austriake në ura solide të komunikimit të vlerave më të mira kulturore dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare midis qyteteve shqiptare dhe atyre austriake ku ata jetojnë.
Në këtë kontekst, ai shprehu kërkesën për një partneritet midis qytetit Mautern dhe Përmetit bazuar në ngjashmëritë e shumta midis dy qyteteve