Me moton “Të bashkohemi për një bashkëpunim paqësor në zonën e BSEC”, Shqipëria ka përmbyllur me sukses kryesimin e Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik të vendeve të Detit të Zi.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, drejtoi takimin virtual të 48-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BSEC, ku prezantoi të gjitha arritjet e kryesisë shqiptare.
Ministri Hasani theksoi se Shqipëria ka bërë përpjekjet më të mira për të promovuar bashkëpunimin gjithëpërfshirës midis vendeve anëtare për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta dhe adresimin unanimisht të gamës së gjerë të çështjeve ekonomike dhe politike.
“Gjatë këtij mandati, ne vazhduam të promovojmë ndërveprimin BSEC-BE. Kemi inkurajuar gjithashtu vendet anëtare të BSEC që të vazhdojnë të punojnë drejt synimeve të vendosura në Axhendën Ekonomike të BSEC. Arritëm me sukses emërimin e dy anëtarëve të stafit dhe përmbyllëm emërimet e 6 koordinatorëve të vendeve dhe rinovimin e statusit të vëzhguesit për dy organizata. Një tjetër arritje ishte miratimi i Planit të Veprimit për periudhën 1 korrik 2023-30 qershor 2025 për Bashkëpunimin në Asistencën Emergjente”, tha kryediplomati shqiptar Hasani.
Sipas MEPJ Igli Hasani, Shqipëria i ka përfunduar me sukses aktivitetet e parashikuara në kalendarin e ngjarjeve të Kryesisë në detyrë të BSEC.
“Kryesimi i Shqipërisë në detyrë i BSEC u sigurua të promovonte marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim të përgjithshëm midis shteteve anëtare të BSEC për të përmirësuar rolin e organizatës në zonën e Detit të Zi dhe më gjerë. Vendet e Detit të Zi kanë një potencial të lakmueshëm njerëzor dhe kulturor për ta shndërruar këtë zonë në një rajon paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti”, tha ai.
Takimi i 48-të i Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të BSEC-ut, ishte takimi përmbyllës i kryesisë shqiptare të BSEC-ut.
Në fund të takimit u miratua dokumenti final dhe pala shqiptare ia kaloi presidencën Armenisë