Më datë 11 prill 2024, në Ministrinë për Punët e Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, u zhvilluan Konsultimet Diplomatike Shqipëri-Kosovë.
Delegacioni i MEPJ-së drejtohej nga Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo, ndërsa delegacioni MPJD-s, drejtohej nga Zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.
Në fokus të bisedimeve ishte plani i bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional midis dy MPJ-ve, konkretisht mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme nëpërmjet harmonizimit të veprimeve dhe aksioneve të diplomacisë për arritjen e objektivave strategjike kombëtare, si dhe çështje të diasporës.
Shqipëria mbështet Dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja, ku ShBA ka një rol të rëndësishëm. Ky dialog duhet të prodhojë një Marrëveshje të detyrueshme ligjore, që sjell njohjen e ndërsjelltë mes dy vendeve dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE.
Shqipëria mbështet aspiratat e Kosovës për integrim Euroatlantik, duke qenë pro-aktive për forcimin e institucionalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën Atlantike.