Këtë muaj përkujtojmë Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (06 maj 1405 – 17 janar 1468), figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar dhe personifikimin e një epoke të tërë të historisë kombëtare.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Hero Kombëtar i shqiptarëve, strateg dhe burrë shteti i madh, udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman dhe bashkimin politiko – shtetëror të popullit shqiptar.
Lufta e shqiptarëve me në krye prijësin e tyre shënon një kthesë vendimtare në organizimin politik të vendit si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar. Pasi çliroi Krujën, më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, Skëndërbeu mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar. Si drejtues i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve. Ai ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Mobilizimi masiv i forcave shqiptare që filloi në Dibër, erdhi duke u zgjeruar në të gjithë vendin, e cila u kthye brenda pak kohëve në një kryengritje të përgjithshme. Brenda muajve të parë u çliruan disa principata dhe pjesa me madhe e trojeve shqiptare. Forcat shqiptare me në krye Skëndërbeun fituan një sërë betejash kundër ushtrive osmane, si në fushat e Pollogut, të Dibrës, së Ohrit e të Domosdovës, grykat e luginat e Shkumbinit, fushat e Ujit të Bardhë, të Livadit pranë Ohrit, të Vajkalit etj.
Pas vitesh lufte e rezistence ndaj pushtimit osman, duke udhëhequr luftën e shqiptarëve për liri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë. Figura e tij u bë burim frymëzimi gjatë luftërave për lirinë e pavarësinë e Atdheut dhe sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare.