Genti Bendo
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Brazil
Genti është një diplomat karriere me mbi 34 vite përvojë në shërbimin e jashtëm shqiptar, i cili ka kontribuar në mënyrë konkrete në negociata të suksesshme dypalëshe dhe shumëpalëshe. Ai ka kryer një sërë detyrash diplomatike, duke mbajtur poste të ndryshme drejtuese brenda dhe jashtë vendit. Si Drejtor i Drejtorisë për Bashkëpunimin Ekonomik në Ministrinë e Jashtme, Genti ka drejtuar disa bisedime dypalëshe. Gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së (2020), ai drejtoi Njësinë e Dimensionit Politiko-Ushtarak në Task Force në Tiranë.
Genti Bendo ka shërbyer në gjashtë përfaqësi diplomatike shqiptare jashtë vendit. Më konkretisht, në fillim të viteve 2000, Genti shërbeu si Zëvendësdrejtues i Misioneve shqiptare në Gjenevë (UNOG) dhe në Vjenë (OSCE & UNOV), ku, ndër të tjera, drejtoi negociata shumëpalëshe në cilësinë e tij si kryetar i dy strukturave të këtyre organizatave. Në vitet 2006-2010 ai ishte Këshilltar i Ambasadës shqiptare në Varshavë. Nga viti 2014 deri në vitin 2018, Genti Bendo shërbeu si Ngarkuar me Punë a.i. dhe Zëvendësdrejtues i Ambasadës shqiptare në Suedi. Gjatë periudhës 2023-2024 ai ishte i Ngarkuar me Punë a.i. në Ambasadën shqiptare në Hungari. Nga nëntori 2024 dhe në vijim Genti Bendo është Ambasador rezident i Shqipërisë në Brazil, duke shërbyer njëkohësisht si Ambasador jorezident në disa shtete të Amerikës së Jugut.
Genti është diplomuar për Ekonomi në Universitetin e Tiranës dhe më pas ka marrë diplomën pasuniversitare për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit. Ai flet rrjedhshëm anglisht dhe italisht si dhe ka njohuri shumë të mira të gjuhës frënge.