Më 28 janar 2022, Ambasadori Dastid KORESHI, Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Evropës, nënshkroi në zyrën e Bjørn Berge, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm, Konventën e Këshillit të Evropës për Aksesin në Dokumentet Zyrtare (CETS Nr. 205), e njohur gjithashtu si Konventa e Tromsø, duke e çuar numrin e nënshkrimeve në 20.
Kjo Konventë është instrumenti i parë ligjor ndërkombëtar detyrues që njeh të drejtën e përgjithshme të aksesit në dokumentet zyrtare të zotëruara nga autoritetet publike. Traktati përbën një moment historik në promovimin e qeverisjes demokratike, hapjes, demokracisë pjesëmarrëse dhe në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të tjera themelore të njeriut.
Po ashtu, Ambasadori KORESHI, nënshkroi edhe Protokollin ndryshues të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale (CETS Nr. 223), e njohur si Konventa 108+, duke e çuar numrin e nënshkrimeve në 44.
Ky protokoll synon të modernizojë dhe përmirësojë Konventën 108, i vetmi instrument ndërkombëtar detyrues me rëndësi globale në këtë fushë. Protokolli trajton sfidat e reja për mbrojtjen e privatësisë që rezultojnë nga përdorimi i teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit që janë shfaqur që nga miratimi i Konventës në 1980.