Në datën 17 maj 2021, Ambasadorja e RSH pranë Këshillit të Evropës, znj. Albana Dautllari nënshkroi me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të KiE, z. Bjorn Berge, “Konventën e Këshillit të Evropës për Bashkëprodhimin Kinematografik (e rishikuar)”, e cila hyn në fuqi pasi të ratifikohet nga vendi ynë.
Konventa ishte hapur për nënshkrim nga shtetet anëtare dhe shtetet e tjera palë në Konventën Kulturore Evropiane dhe për aderim nga shtetet e tjera jo-anëtare dhe Bashkimi Evropian, në Roterdam me 30 janar 2017. Vendi ynë është vendi i 35-të që ka nënshkruar Konventën.
Qëllimi i Konventës së rishikuar është të sigurojë një bazë ligjore dhe financiare për bashkëprodhimin e filmave me metrazh të gjatë që përfshijnë kompani prodhimi të krijuara në tre ose më shumë shtete palë. Konventa e rishikuar mund të përdoret gjithashtu si një bazë ligjore dypalëshe në mungesë të një traktati specifik të bashkëprodhimit midis dy palëve. Pjesëmarrja e një ose më shumë bashkë-prodhuesve të cilët nuk janë palë është e mundur, me kusht që kontributi i tyre i përgjithshëm të mos kalojë 30% të kostos totale të prodhimit. Gjithashtu vepra e bashkë prodhuar duhet të përmbushë përkufizimin e një vepre kinematografike zyrtarisht të bashkë prodhuar të paraqitur në Shtojcën II të Konventës. Kjo Konventë sjell të azhurnuara dispozitat e Konventës Evropiane të 1992 për Bashkëprodhimin Kinematografik (ETS Nr. 147), konventë e cila është ratifikuar nga vendi ynë që me datë 09 shtator 2009.
Mbas ceremonisë së nënshkrimit Ambasadorja Dautllari zhvilloi dhe një takim me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të KiE, z. Bjorn Berge. Gjatë takimit z. Berge vlerësoi angazhimin e vendit tonë për tu bërë pjesë e kësaj konvente, duke e cilësuar si hap të rëndësishëm, që ndikon drejtpërdrejt në rritjen bashkëprodhimit kinematografik dhe siguron një bazë ligjore dhe financiare për bashkëprodhimin e filmave me metrazh të gjatë.