Ambasadorja Albana Dautllari u takua me Sekretaren e Përgjithshme të KiE, Znj. Marija Pejčinović Burić në përfundim të misionit të saj diplomatik.
Gjatë takimit Sekretarja e Përgjithshme Buric dhe Ambasadorja Dautllari vlerësuan zhvillimin e marrëdhënieve Shqipëri-KiE, shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e frytshëm midis Shqipërisë dhe KiE-së dhe shprehën besimin se bashkëpunimi efektiv do të zhvillohet më tej.
Ambasadorja Dautllari vlerësoi rolin dhe kontributin e rëndësishëm të ofruar nga KiE në forcimin e standardeve të demokracisë, të drejtave të njeriut, duke nënvizuar se Shqipëria ka një bashkëpunim afatgjatë me KiE.
Ndër të tjera Ambasadorja Dautllari vlerësoi bashkëpunimin me KiE për mbështetjen e dhënë për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe me acquis të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.
Në fund të takimit, Sekretarja e Përgjithshme e KiE-së falënderoi Ambasadoren Dautllari për kontributin e dhënë në Këshillin e Evropës për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve Shqipëri –KiE, por edhe për rolin e saj aktiv si kryetare e GR-C dhe pjesëmarrjes në forume të tjera të KiE duke i uruar suksese në veprimtarinë e saj të ardhshme.
Ambasadorja Dautllari nga ana e saj vuri në dukje se kishte qenë e nderuar që kishte dhënë kontributin e saj në zhvillimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve Shqipëri-KiE.