Më datë 10 mars në shkollën e Komunës Nova Raga të Prefekturës Bjellovar-Bjelogore u organizua ceremonia e hapjes së klasës së mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Për prefekturën, kjo është klasa e dytë e mësimit në gjuhën shqipe që hapet në harkun kohor të një viti. Tekstet mësimore për këtë shkollë janë siguruar nga Qarku i Beratit, i cili ka projekte bashkëpunimi me Prefekturën Bjelovar-Bjelogore. Të pranishëm në ceremoni ishin Zëvendës Prefektja Gjurgjica Ishtef Benshiq, Drejtorja e Arsimit, Kulturës dhe Sportit, Ana Antoloviq dhe Kryetari i Komunës Darko Knezhiq. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe ambasadorja e Kosovës Shkëndije Geci Sherifi dhe ministre këshilltare në Ambasadën e Shqipërisë Meri Shahini. Ceremonia u shoqërua me interpretime të fëmijëve në gjuhën shqipe dhe në gjuhën kroate. Shkolla Nova Raga, ku tani fëmijët shqiptarë mësojnë gjuhën shqipe, e çon në 15 numrin e shkollave të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Kroaci gjatë pesë viteve të fundit.
Newsroom
Hapet shkollë e re e mësimit plotësues në gjuhën shqipe