Me rastin e 112 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe 80 vjetorit të Clirimit të Shqipërisë, në Zagreb u organizua një pritje festive, ku ishin të ftuar përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kroaci, zyrtarë të lartë të shtetit dhe politikës kroate, përfaqësues të lartë të besimeve fetare, gazetarë edhe figura publike, bashkëkombas nga të gjitha trevat shqiptare si edhe miq e dashamirës kroatë.
Në përshëndetjen e saj, E ngarkuara me punë, znj. Alma Kasa, theksoi se në këtë ditë të veçantë shqiptarët kudo ku jetojnë nderojnë sakrificat dhe përpjekjet për liri, dinjitet dhe prosperitet. Ky vit shënoi më tej forcimin e marrëdhënive mes Shqipërisë dhe Kroacisë, që festuan gjithashtu edhe 15 vjetorin e anëtarësimit të tyre në NATO, e që sot ndajnë një partneritet strategjik mes tyre.
Me këtë rast, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit”u shfaq edhe Ekzpozita me titull “Rezistenca e Popullit Shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Pjesëmarrësit shijuan gjithashtu edhe specialitete të kuzhinës shqiptare.
Në një atmosferë festive dhe miqësore, gjatë ceremonisë së mbajtur në Hotel Sheraton, mbizotëruan ngjyrat kombëtare kuq e zi.