Më datë 20 mars në Zagreb u zhvillua takim i Sh.T. Z. Ditmir Bushati, Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me drejtues e përfaqësues të bashkësive, këshillave dhe shoqatave shqiptare që veprojnë në Republikën e Kroacisë. Gjatë bashkëbisedimit Ministri Bushati në mënyrë të përmbledhur informoi për punën që po bëhet në Shqipëri për realizimin e reformave të nevojitura në rrugën e integrimit evropian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Pjesë e bashkëbisedimit ishte edhe situata rajonale e më gjerë dhe qëndrimet e politikës së jashtme të Shqipërisë për çështje rajonale e ndërkombëtare. Ministri Bushati nënvizoi rolin e padiskutueshëm të shqiptarëve të Kroacisë, si urë lidhëse e miqësie në bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kroacisë. Takimi u pasua me pyetje e përgjigje, si dhe takime të përzemërta individuale me të pranishmit. Në Kroaci jeton e punon një komunitet i konsiderueshëm shqiptar, me origjinë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Shqiptarët e Kroacisë janë të organizuar në unionin e bashkësive shqiptare në Kroaci, në bashkësi e këshilla, si dhe në shoqata të ndryshme. Roli i tyre është i vlerësuar në ruajtjen e gjuhës e të kulturës, në njohjen e historisë së kombit shqiptar. Falë punës së bërë deri tani, në Kroaci funksionojnë mbi 15 shkolla të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Newsroom
Ministri Ditmir Bushati takim me drejtues e përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci