Më datë 20 shkurt 2014 në rrugën Dalmatinska të qytetit të Zagrebit u zhvillua ceremonia e nderimit e përkujtimit të albanologut të shquar kroat Milan Šufflay. Në këtë vend më 19 shkurt 1931, pak kohë pas kthimit të Milan Šufflay nga Shqipëria ai është ekzekutuar nga dorë vrastare e qëllimshme. Milan Šufflay është figurë e madhe e historiografisë kroate dhe njëherazi albanolog i shquar dhe burimolog unik për historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve.
Që prej 21 vitesh Unioni i Bashkësive Shqiptare në Republikën e Kroacisë nderon këtë figurë të madhe duke vendosur kurora në vendit ku Milan Šufflay është vrarë. Që prej vitit 1994, në mënyrë të pandërprerë, Ambasada e Shqipërisë ka qenë pjesë e kësaj ceremonie. Kurora u vendosën nga Ambasada e Shqipërisë, Ambasada e Kosovës, Unioni i Bashkësive Shqiptare, Shoqata kroate “Dragoi“, etj. Gjatë ceremonisë përshëndetën ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi, ambasadorja e Kosovës Shkëndije Geci Sherifi, sekretari i Unionit të Bashkësive Shqiptare Riza Hoxha dhe profesorë të Universitetit të Zagrebit.
Ceremonia u pasua nga një takim i të gjithë pjesëmarrësve, ku në vëmendje janë sjellë vlerat e Milan Šufflay për Kroacinë dhe Shqipërinë e shqiptarët.