Deklaratë e përbashkët për shtyp e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë për Punët e Jashtme të Rumanisë në 110-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Rumanisë
Rumania dhe Republika e Shqipërisë festojnë sot 110 vjet nga vendosja e marrëdhënieve të tyre diplomatike dypalëshe.
Lidhjet midis dy shteteve tona janë bazohen në një traditë të fortë ku historia ndërthuret me një trashëgimi të përbashkët kulturore dhe lidhje të ngushta mes njerëzve, duke përfshirë këtu edhe minoritetet tona përkatëse, të cilët i lidhin fort dy shtetet tona përtej gjeografisë.
Rumania zë një vend të veçantë në grupin e vendeve mike të Shqipërisë, si vendi i parë që njohu Pavarësinë e Shqipërisë, me kontributin e saj të vazhdueshëm në rrënjët e thella historike dhe rolin aktiv të diasporës shqiptare.
Theksojmë këtu se ideja e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali u farkëtua pikërisht në takimin në Bukuresht të Ismail Qemalit dhe Luigji Gurakuqit me përfaqësuesit e kolonisë shqiptare në Rumani, në hotelin “Continental”, më datë 5 Nëntor 1912. Mërgata shqiptare, për shkak të mjedisit të favorshëm politik, botoi gazeta dhe revista në gjuhën shqipe.
Sot, miqësia dhe respekti i ndërsjellë janë elementë përcaktues të thellimit të lidhjeve politike dhe ekonomike, duke nxitur bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë që pasurojnë çdo ditë trashëgiminë e përbashkët shqiptaro-rumune.
Rumania është dhe do të mbetet një mbështetëse e vendosur e rrugës evropiane të Republikës së Shqipërisë. Rumania mbështet një proces të qartë, transparent dhe rigoroz zgjerimi, në të dy dimensionet e saj gjeografike – Ballkani Perëndimor dhe fqinjësia Lindore – bazuar në meritat e saj, reformat dhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Mbështetja e Rumanisë për nisjen efektive të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian është një tjetër pohim i projeksionit strategjik pozitiv që Rumania ka në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Së bashku si aleatë dhe partnerë evropianë me lidhje të veçanta, Republika e Shqipërisë dhe Rumania riafirmojnë vullnetin e tyre për të kontribuar së bashku për një Evropë të fortë, të begatë, të sigurt dhe konkurruese.
Ne ritheksojmë kështu vendosmërinë tonë të përbashkët për t’iu qasur së bashku, si aleatë brenda NATO-s, të gjitha sfidat për sigurinë dhe stabilitetin e zonës euroatlantike. Ne angazhohemi për të ndërmarrë veprime konkrete për promovimin e rëndësisë strategjike të Detit të Zi dhe Ballkanit Perëndimor në zonën euro-atlantike.
Vitin e ardhshëm, 2024, do të festojmë 30 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Mirëkuptimit, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë ndërmjet Rumanisë dhe Republikës së Shqipërisë, nënshkruar në Bukuresht, më 11 maj 1994 dhe do ta bëjmë me shumë shpresë që e ardhmja do të konfirmojë përkatësinë e shteteve tona në të njëjtin komunitet vlerash.