Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, priti sot në një takim në MEPJ, një grup anëtarësh të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Finlandës, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Kimmo Kiljunen.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Finlandës, si dhe u diskutuan mënyra për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht atë ekonomik, nëpërmjet shfrytëzimit të potencialeve të ofruara nga të dyja vendet.
Duke u ndalur në çështjen e integrimit evropian, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, shprehu mirënjohjen ndaj Finlandës për mbështetjen e fortë të politikës së zgjerimit të BE-së, me fokus integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht të Shqipërisë.
Gjithashtu, Hasani në takim vlerësoi se anëtarësimi në NATO i Finlandës dhe Suedisë, forcon sigurinë dhe përmirëson stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Detit Baltik dhe Evropën Veriore.
Në përfundim të takimit, Ministri Hasani shprehu gatishmërinë e plotë të Shqipërisë për bashkëpunim gjatë Kryesimit të OSBE-së nga Finlanda në vitin 2025, si një dëshmi e angazhimit të përbashkët për të adresuar sfidat globale.