Më 13 qershor 2024 u zhvillua në Shkup takimi vjetor i Ministrave të Punëve të Jashtme të SEECP-së, në kuadër të kryesisë së Maqedonisë së Veriut, në të cilën mori pjesë Zv/Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, ArtemisMalo.
Në fjalën e saj, Zëvendësministrja Artemis Malo vlerësoi punën e presidencës së Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e prioriteteve të fokusuara mbi zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe për përfundimin me sukses të zgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović.
Zv/Ministrja Malo riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse të SEECP për çështjet e sigurisë me BE-në dhe NATO-n, duke nënvizuar se rajoni i Ballkani Perëndimor mbetet strategjikisht i rëndësishëm për NATO-n.
Duke vënë në pah vizionin drejt perspektivës evropiane të rajonit të Evropës Juglindore, zv/ Ministrja Malo theksoi se jemi të vetëdijshëm për nxitjen e dialogut politik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për të arritur rezultate të suksesshme në procesin e negociatave. Ajo tha se Shqipëria ka treguar se është një partner i besueshëm i BE-së dhe mbetet një aleat i rëndësishëm gjeopolitik falë përpjekjeve të saj për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.