Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së OKB-së dhe organizatave të
tjera ndërkombëtare në Gjenevë shpall thirrjen për të reja dhe të rinj të motivuar dhe me interes
në fushën e të drejtave të njeriut për t’u angazhuar për periudha 3 ose 6-mujore pranë Misionit.
Përshkrimi i punës
Të drejtat e njeriut përbëjnë një pjesë integrale dhe të konsoliduar të veprimtarisë së Misionit
shqiptar në Gjenevë. Shqipëria është zgjedhur anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut
(KDNJ) për periudhën 2024-2026.
Praktikantja/i do të ketë mundësi të mësojë për rolin e shërbimit të jashtëm shqiptar dhe
Shqipërisë mbi çështjen e të drejtave të njeriut në një kontekst ndërkombëtar.
Puna do të përqëndrohet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe Rishikimin Universal
Periodik. Praktikantja/i do të përgatisë pjesëmarrjen në takime si dhe do të marrë vetë pjesë në
to, duke hartuar raportin e tyre, do të kryejë punë kërkimore si dhe do të mbështesë Misionin
në veprimtaritë për organizimin e aktiviteteve të ndryshme në fushën e të drejtave të njeriut.
Praktika do të kryhet nën drejtimin e diplomates/it që mbulon dosjen e të drejtave të njeriut në
Mision.
Praktika është një mundësi e shkëlqyer për t’u përfshirë drejtpërdrejtë në marrëdhëniet
ndërkombëtare dhe çështjet shumëpalëshe. Ne i konsiderojmë praktikantët tanë një pjesë
integrale të ekipit.
Edukimi, kualifikimet, aftësitë, përvoja
Të interesuarit duhet të kenë një diplomë universitare në fushat e të drejtave të njeriut, të drejtës
ndërkombëtare, diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave politike ose disiplina
të tjera të përafërta. Diploma master përbën përparësi.
Të interesuarit duhet të jenë të motivuar, fleksibël, me aftësi të shkëlqyera në komunikim dhe
organizim, si dhe me interes për fushën e të drejtave të njeriut dhe OKB-së.
Vlerësohen përvoja të mëparshme pune në fushën e të drejtave të njeriut ose në diplomaci.
Aftësitë gjuhësore: Zotërimi i shkëlqyer i anglishtes dhe/ose frëngjishtes së folur e të shkruar.
Aftësitë IT: Njohuri të mira të programeve MS Word dhe Excel.
Kushtet e praktikës: Aplikanti duhet të ketë leje qëndrimi në Zvicër / Shengen për periudhën
e praktikës (15.02.2024 – 31.12.2024) dhe të jetë i siguruar sipas rregullave të parashikuara nga
legjislacioni në fuqi në Zvicër.
Praktika do të kryhet pa shpërblim.
Shprehja e interesit duhet paraqitur deri në datën 5 shkurt 2024, ora 12:00.
Të interesuarit ftohen të dërgojnë një Curriculum Vitae dhe letër motivimi në adresën
elektronike të Misionit: mission.geneve@mfa.gov.al.