Kretë, Greqi, 6-7 Maj 2025 – Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Armand Skapi mori pjesë në Forumin vjetor të Iniciativës Adriatiko-Joniane (AII) dhe të Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), i zhvilluar nën Kryesinë Greke. Në fjalën e mbajtur ai shprehu vlerësimin për organizimin dhe përmbylljen me sukses të Kryesisë Greke.
Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një instrument kyç për përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai vlerësoi kontributin e EUSAIR në rritjen e bashkëpunimit shumë-nivelesh, zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara dypalëshe dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale.
Gjatë fjalimit u theksua se Shqipëria është e angazhuar në zbatimin e projekteve nën IPA III (2021-2027), në fusha si mjedisi, turizmi, energjia dhe transporti. Po ashtu, u përmend roli i rëndësishëm që kanë kultura, turizmi dhe përfshirja e të rinjve në vendimmarrje, si elementë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin evropian.
Skapi nënvizoi se progresi i bashkëpunimit rajonal është një mjet kyç për përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria vlerëson kontributin e AII dhe të Strategjisë EUSAIR në fuqizimin e ndërveprimit mes vendeve partnere dhe në përgatitjen e vendeve kandidate për integrimin evropian. Ai u shpreh se Strategjia EUSAIR është gjithashtu një mekanizëm kyç për nxitjen e bashkëpunimit shumëpalësh, duke përfshirë vendet anëtare dhe jo-anëtare të BE-së në një proces të përbashkët zhvillimi dhe vendimmarrjeje.
Në mbyllje, Sekretari i Përgjithshëm theksoi se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet më 16 maj 2025 në Tiranë. Ky Samit përbën një moment të rëndësishëm për të theksuar rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon dhe për të promovuar më tej angazhimin e vendit në përmbushjen e objektivave të integrimit evropian.