Gjenevë, 2-13 qershor 2025
Në datat 2 deri më 13 qershor 2025 në Gjenevë u mbajt sesioni i 113-të vjetor i Konferencës Ndërkombëtare të Punës. Delegacioni i Shqipërisë u kryesua nga Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit znj. Olta Manjani. Në përbërje të delegacionit ishin përfaqësues të Unionit të Konfederatave, Bashkimit të Sindikatave, të biznesit dhe të Misionit të Shqipërisë në Gjenevë.
Në seancën plenare znj. Manjani theksoi angazhimin e Shqipërisë për të promovuar drejtësinë sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm, në rrugën e saj të përparimit të shpejtë drejt anëtarësimit në BE në vitin 2030, si dhe themelimin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ me Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian. Znj. Manjani evidentoi rolin e Shqipërisë si një vend pionier në Përshpejtuesit Global për Vendet e Punës dhe Mbrojtjen Sociale për Tranzicione të Drejta. Duke u ndalur në aderimin e Shqipërisë në Koalicionin Global për Drejtësi Sociale, Znj. Manjani u shpreh se, kjo reflekton përkushtimin e Shqipërisë për promovimin e vlerave të drejtësisë sociale në vend dhe në rajon.