Shqipëria riafirmon mbështetjen për Paktin Demokratik
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Silda Anagnosti Çepe përfaqësoi Shqipërinë në Ministerialin e 134-rt të Këshillit të Evropës, në Luksemburg.
Shqipëria riafirmoi mbështetjen e saj për Paktin Demokratik të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Alain Berset – një nismë e guximshme dhe e domosdoshme për të ripërtërirë demokracinë evropiane si një proces i gjallë dhe përfshirës.
Në fjalën e saj, Zëvendësministrja Çepe u shpreh se: “Demokracia nuk cenohet papritur – ajo gërryhet ngadalë, shpesh në mënyrë “teknike”. Prandaj, Pakti kërkon veprim: edukim qytetar, pjesëmarrje të të rinjve, drejtësi funksionale, media të lirë dhe përgjegjshmëri digjitale”.
Shqipëria mbështet katër shtylla kyçe: shndërrimin e rolit të Këshillit të Evropës nga monitorues në drejtues politik; mobilizimin e lidershipit në të gjithë hapësirën evropiane; përkthimin e parimeve në veprim publik konkret; si dhe mbrojtjen e vlerave pa kompromis, edhe kur politika sugjeron të kundërtën.
Ndër to, qëndrimi ndaj Kosovës është testi i vërtetë i koherencës sonë. Kosova nuk është përjashtim – ajo është pasqyrë. Dhe pasqyra tregon nëse parimet tona janë të pandashme, apo të negociueshme.
Po ashtu, Shqipëria shprehu mbështetje të palëkundur për Ukrainën dhe kontributin real të Këshillit të Evropës në ndihmë të popullit ukrainas.