Në kuadër të Samitit të 10-të të Iniciativës së Tri Deteve të zhvilluar në Varshavë të Polonisë më 29 Prill 2025, Shqipëria iu bashkua kësaj iniciative me statusin e pjesëmarrësit të asociuar.
Vendi ynë u përfaqësua në këtë samit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj.
Samiti shënoi zgjerimin më të madh deri më sot të këtij forumi bashkëpunimi, gjatë punimeve të të cilit, Shqipëria dhe Mali i Zi iu bashkuan zyrtarisht Iniciativës si vende pjesëmarrëse të asociuara, krahas Ukrainës dhe Moldavisë; ndërsa Turqia dhe Spanja morën statusin e partnerit strategjik, krahas Shteteve te Bashkuara te Amerikës, Japonisë, Komisionit Evropian dhe Gjermanisë.
Si një vend anëtar i NATO-s dhe që aspiron anëtarësimin ne BE, prania jonë në këtë Iniciativë do të thellojë shtrirjen strategjike të saj në një rajon që është jetik për sigurinë, stabilitetin, prosperitetin dhe kohezionin e Evropës në tërësi; do të konsolidojë më tej krahun juglindor të kësaj iniciativë; dhe do të shtojë rolin e saj në perspektivën strategjike, veçanërisht në çështjet e bashkëpunimit për siguri, qëndrueshmërisë demokratike dhe koordinimit transatlantik.
Gjatë Samitit, diskutimet u fokusuan në investimet e ardhshme brenda formatit të bashkëpunimit 3SI, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës së energjisë dhe transportit, si dhe çështjet e sigurisë për vendet në rajonin e Tri Deteve.
Në fokus të Iniciativës së Tri Deteve është rritja e qëndrueshmërisë rajonale, duke krijuar një brez të fortë lidhjeje përgjatë boshtit veri-jug në Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe forcimi i kohezionit të BE-së dhe thellimi i lidhjeve trans-atlantike, duke përfituar nga prania strategjike e SHBA në të.
Iniciativa bën bashkë 13 shtete pjesëmarrëse, anëtare të BE-së dhe mbështetëse te vendosura te Zgjerimit te BE-se: Austria, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia. Ajo i kushton rëndësi të konsiderueshme Zgjerimit të BE-së, duke ofruar përfitime ekonomike dhe gjeopolitike që përputhen me aspiratat tona për anëtarësim në BE.
Shqipëria është pjesë e projekteve të rëndësishme evropiane të infrastrukturës: Korridori 8, Korridori B lu, TAP, Porti i Durrësit. Nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë Iniciativë, vendi ynë synon të përfitojë nga rritja e mundësive për investime, jo vetëm në ndërlidhjen në fushën e transportit, por edhe në rrjetet e energjisë dhe në infrastrukturën digjitale.
Vitin e ardhshëm, Samiti i Iniciativës së Tri Deteve do të zhvillohet në Kroaci.