THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI PËR PRAKTIKË PUNE (10 MAJ- 10 GUSHT 2025)
Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë shpall thirrjen për të reja dhe të rinj të motivuar dhe me interes në fushën e të drejtave të njeriut për t’u angazhuar për periudha 3 mujore pranë Misionit
Përshkrimi i punës
Të drejtat e njeriut përbëjnë një pjesë integrale dhe të konsoliduar të veprimtarisë së Misionit shqiptar në Gjenevë. Shqipëria është anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ) për periudhën 2024-2026.
Praktikantja/i do të ketë mundësi të mësojë për rolin e shërbimit të jashtëm shqiptar dhe Shqipërisë mbi çështjen e të drejtave të njeriut në një kontekst ndërkombëtar. Puna do të përqendrohet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, por edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë.
Praktikantja/i do të përgatisë pjesëmarrjen në takime si dhe do të marrë vetë pjesë në to, do të kryejë punë kërkimore në fushën e të drejtave të njeriut si dhe do të mbështesë Misionin në veprimtaritë për organizimin e aktiviteteve të ndryshme në fushën e të drejtave të njeriut.
Praktika do të kryhet nën drejtimin e diplomates/it që mbulon dosjen përkatëse në Mision.
Praktika është një mundësi shumë e mirë për t’u përfshirë drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe çështjet shumëpalëshe. Ne i konsiderojmë praktikantët tanë një pjesë integrale të ekipit.
Edukimi, kualifikimet, aftësitë, përvoja
Të interesuarit duhet të kenë një diplomë universitare në fushat e të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare, diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave politike, ose disiplina të tjera të përafërta. Diploma “Master” përbën përparësi.
Të interesuarit duhet të jenë të motivuar, fleksibël, me aftësi shumë të mira në komunikim dhe organizim, si dhe me interes për fushën e të drejtave të njeriut, të OKB-së dhe organizatave të tjera humanitare dhe ekonomike.
Vlerësohen përvojat e mëparshme të punës në fushën e të drejtave të njeriut ose në diplomaci.
Aftësitë gjuhësore: Zotërimi i shkëlqyer i anglishtes dhe/ose frëngjishtes së folur e të shkruar.
Aftësitë IT: Njohuri të mira të programeve MS Word dhe Excel.
Kushtet e praktikës: Aplikantja/aplikanti duhet të ketë leje qëndrimi afatgjatë në Zvicër/ Shengen për periudhën e plotë të praktikës (10 maj 2025- 10 gusht 2025) dhe të jetë i siguruar sipas rregullave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi në Zvicër.Praktika do të kryhet pa shpërblim.
Shprehja e interesit duhet paraqitur deri në datën 5 Maj 2025, ora 17:00.
Të interesuarit ftohen të dërgojnë një Curriculum Vitae dhe letër motivimi në adresën elektronike të Misionit: mission.geneve@mfa.gov.al.