Në datë 13 mars 2026 Zëvendës Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit znj. Olta Manjani zhvilloi një takim me z. Daren Tang Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), përgjatë te cilit u theksua se bashkëpunimi me WIPO-n vijon të jetë kyç për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale në Shqipëri, përmes mbështetjes në përmirësimin e legjislacionit, programet e trajnimit dhe rritjen e kapaciteteve institucionale.
Zëvendësministrja Manjani dorëzoi intrumentet e ratifikimit nga Shqipëria të dy traktateve, përkatësisht Traktatit të Rijadit për të Drejtën e Dizejneve (Riyadh Design Law Treaty) dhe Traktatit për Pronësinë Intelektuale, Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale. Shqipëria është vendi i parë anëtar i WIPO-s që ratifikon Traktatin e Rijadit për Dizajnet dhe vendi i tretë që ratifikon Traktatin për Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale, të cilët u miratuan pas një procesi negociues mbi 20-vjeçar mes shteteve anëtare.


