Asambleja Botërore e Shëndetit është organi vendimmarrës i Organizatës Botërore të Shëndetit. Çdo vit, në maj, delegacione nga 194 shtetet anëtare të OBSH vijnë në Gjenevë për të vlerësuar punën e OBSH, për të caktuar qëllimet e saj dhe detyra të reja, si dhe për të shqyrtuar politikat financiare dhe buxhetore të Organizatës.
Këtë vit, për herë të parë që nga krijimi i OBSH në 1948, Asambleja Botërore e Shëndetit u mblodh në format virtual, për shkak të pandemisë COVID-19. Programi i punës së Asamblesë u shkurtua për të mundësuar mbledhjen në vetëm dy ditë, për tu rimbledhur më vonë gjatë 2020 dhe trajtuar programin e plotë.
Me përjashtim të disa vendimeve administrative të domosdoshme për vazhdimësinë e punës së OBSH, takimi i 18-19 majit iu kushtua ekskluzivisht pandemisë COVID-19. Një numër jo i vogël krerësh shtetesh e qeverishë iu drejtuan Asamblesë në hapje dhe mbyllje të saj, duke përforcuar mesazhin se përballë një virusi që nuk njeh kufij, përgjigja nuk duhet të ketë kufij dhe forcimi i multilateralizmit ka më rëndësi se kurrë.
Mbështetja për multilateralizmin u pa qartë në miratimin me konsensus të një rezolute ambicioze të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe të bashkësponsorizuar nga 144 vende, ndër to dhe Shqipëria.
Rezoluta nënvizon rëndësinë e përgjigjes ndaj COVID-19 përmes solidaritetit dhe bashkëpunimit shumëpalësh nën ombrellën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa vlerëson rolin udhëheqës të OBSH në përgjigjen ndaj pandemisë, rezoluta kërkon angazhim nga të gjithë: vendet, OBSH dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë, shoqëria civile dhe sektori privat.
Në veçanti, rezoluta thekson nevojën për akses të shpejtë dhe pa pengesa në diagnostikim cilësor, të sigurt, efektiv dhe të përballueshëm, në terapi, ilaçe dhe vaksina, në teknologjitë thelbësore të shëndetit, përbërësit e tyre dhe pajisjet për përgjigjen ndaj COVID-19.
Ajo u bën thirrje shteteve anëtare ti japin OBSH informacion të saktë dhe të hollësishëm mbi shëndetin publik, siç kërkohet nga Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR), si dhe i bën thirrje OBSH të nisë, sa më shpejt të jetë e mundur dhe në konsultim me shtetet anëtare, një proces vlerësimi të paanshëm, të pavarur dhe gjithëpërfshirës për të rishikuar përvojën dhe mësimet e nxjerra nga koordinimi i OBSH i përgjigjes ndërkombëtare ndaj COVID-19.
Një hetim i pavarur se si filloi dhe u përhap kjo pandemi vlerësohet i rëndësishëm për të nxjerrë mësime nga kriza aktuale, me qëllim forcimin e gatishmërisë sonë për të ardhmen. Vetëm duke punuar së bashku, në solidaritet, do të mund ta kapërcejmë këtë pandemi globale.
Informacion të plotë mbi punimet e Asamblesë mund të gjeni këtu.