Praktikë për të drejtat e njeriut pranë Misionit shqiptar në Gjenevë

Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së OKB-së në Gjenevë kërkon një praktikant të motivuar dhe me interes në fushën e të drejtave të njeriut për periudhën 21 janar – 21 qershor 2019.
 
Përshkrimi i punës
Të drejtat e njeriut përbëjnë një pjesë integrale dhe të konsoliduar të veprimtarisë së Misionit shqiptar në Gjenevë. Praktikantja/i do të ketë mundësinë të mësojë për rolin e shërbimit të jashtëm shqiptar dhe Shqipërisë për çështjet e të drejtave të njeriut në një kontekst ndërkombëtar. Puna do të përqendrohet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe Rishikimin Universal Periodik. Praktikantja/i do të ndjekë takime, do të kryejë punë kërkimore dhe përgatisë pjesëmarrjen në takime, do të hartojë raporte nga takimet, si dhe do të mbështesë Misionin për organizimin e aktiviteteve të ndryshme në fushën e të drejtave të njeriut.
Praktika do të kryhet nën drejtimin e diplomatit që mbulon dosjen e të drejtave të njeriut në Mision.
Praktika është një mundësi e shkëlqyer për t'u përfshirë drejtpërdrejt në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe çështjet shumëpalëshe. Ne i konsiderojmë praktikantët tanë një pjesë integrale të ekipit.
 
Edukimi, kualifikimet, aftësitë, përvoja
Të interesuarit duhet të kenë një diplomë universitare në të drejtat e njeriut, të drejtë ndërkombëtare, diplomaci, marrëdhënie ndërkombëtare, shkenca politike ose disiplina të tjera relevante. Diploma master përbën avantazh.
Të interesuarit duhet të jenë të motivuar, fleksibël, me aftësi të shkëlqyera në komunikim dhe organizim, si dhe me interes për të drejtat e njeriut dhe OKB-në.
Vlerësohet përvoja e mëparshme e punës në fushën e të drejtave të njeriut ose në diplomaci.
 
Aftësitë gjuhësore: Zotërimi i shkëlqyer i anglishtes dhe/ose frëngjishtes së folur e të shkruar.
Aftësitë TI: Njohuri të mira pune në MS Word dhe Excel.
 
Kushtet e praktikës: Aplikantët duhet të kenë leje qëndrimi në Zvicër / Shengen për periudhën e plotë të praktikës (21 janar – 21 qershor 2019).
Pozicioni i praktikës është pa pagesë.
Afati i fundit për aplikim është data 15 janar 2019.
 
Të interesuarit ftohen të dërgojnë një CV dhe letër motivimi në adresën elektronike të Misionit mission.geneve@mfa.gov.al.

Adresa

Misioni i Shqipërisë
Rue du Môle 32, 1201 Gjenevë

Tel / Fax

Tel: +4122 7311143
Fax; +4122 7388156
Nr. e emergjences: +41 79 151 85 04 / +4122 7311143

E-MAIL

mission.geneve@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00