Tiranë 21 nëntor 2024 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se ruajtja e identitetit kombëtar përmes arsimimit dhe gjuhës amtare, promovimi i trashëgimisë kombëtare dhe mbrojtja e të drejtave themelore, duke lehtësuar integrimin efikas në vendin pritës janë prioritet i punës i përfaqësive diplomatike dhe konsullatave shqiptare në botë.
I ftuar në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe, “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI”, ministri Hasani tha se përmes politikës së jashtme synohet të identifikohen, adresohen dhe zgjidhen problematikat me të cilat diaspora përballet.
“Pak muaj më parë nisi programi model “Mësues për Greqinë”, për të fuqizuar klasat dhe përmirësuar cilësinë e mësimdhënies, duke synuar zgjerimin e tij në vende të tjera ku jetojnë bashkatdhetarët tanë. 20,000 nxënës të shkollave e kurse të gjuhës shqipe në 21 vende të botës janë pajisur me mbi 55,000 tekste dhe materiale plotësuese, falë kontributit dhe koordinimit mes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, nënvizoi ministri Hasani.
Thellimi i bashkëpunimit me faktorin shqiptar, kudo në rajon, garantimi i të drejtave të të gjithë shqiptarëve dhe fuqizimi i tyre politik, social e ekonomik, si dhe kultivimi e çuarja përpara e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve mbetet një përparësi e posaçme për institucionet shqiptare. Këtij qëllimi i shërben edhe krijimi kohët e fundit në strukturën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Drejtorisë së Bashkëpunimit me Faktorin Shqiptar në Rajon, çka do të shërbejë për t’i dhënë një tjetër dimension bashkëpunimit dhe bashkërendimit me faktorin shqiptar në rajon.
Një vit më parë në Samitin e tretë të Diasporës me nismën e Ministrisë për Evropën e Punët e Jashtme, Kryeministri Rama shpalli festë kombëtare zyrtare datën 22 nëntor, Ditën e Alfabetit, si një ditë simbol përbashkimi të të gjithë shqiptarëve kudo në botë, e cila është dhe in memoriam të Kongresit të Manastirit që mblodhi 116 vite më parë rilindësit për të na dhënë alfabetin që kemi sot.