Më 28 mars 2025, Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi, mori pjesë në Panairin prestigjioz të Librit në Leipzig me titull ‘Fjalët lëvizin Botët’, ku u përfshi në diskutime të pasura me figura kyçe të fushës së letërsisë dhe kulturës.
Ambasadorja mori pjesë në një panel diskutimi mbi romanin e njohur të autorit shqiptar Ismail Kadare ‘Kur sunduesit grinden’, i përkthyer në gjuhën gjermane ‘Der Anruf’ nga Joachim Röhm.
Gjatë sesionit, Ambasadorja Sakiqi, z. Röhm dhe shkrimtarja shqiptare znj. Mimoza Ahmeti diskutuan për thellësinë dhe ndikimin e veprës së Kadaresë, duke u ndalur tek temat, simbolizmi dhe stili i jashtëzakonshëm rrëfimtar që e bëjnë këtë libër një thesar të rëndësishëm kulturor.
Ambasadorja Sakiqi zhvilloi gjithashtu biseda me Dr. Gabriele Goldfuß, Shefe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Shtetin e Leipzigut, dhe znj. Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, për të theksuar rëndësinë e shkëmbimeve kulturore dhe promovimin e letërsisë shqiptare në skenën globale.
Ky aktivitet shënoi një hap tjetër të suksesshëm në forcimin e bashkëpunimeve letrare ndërkombëtare dhe në sjelljen e zërit unik të letërsisë shqiptare para publikut më të gjerë europian.