Më 27 qershor, në Berlin, u mbajt Konferenca e Business Network Albania , BNA, e cila mblodhi në një platformë të përbashkët përfaqësues të institucioneve shqiptare ne Berlin, dhe të komunitetit të biznesit shqiptar në Gjermani e më gjerë.
Me pjesëmarrjen e Zv. Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani, si edhe të Ambasadores së Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi, Ambasadorit të Kosovës, z. Faruk Ajeti, dhe Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut, z. Ylber Sela, konferenca theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik, institucional dhe profesional ndërmjet trojeve shqiptare dhe diasporës.
Konferenca krijoi një hapësirë të vlefshme për dialog, shkëmbim përvojash dhe zhvillimin e bashkëpunimeve të reja, duke mbledhur së bashku sipërmarrës, investitorë dhe drejtues biznesesh nga Gjermania, Shqipëria, Austria, Zvicra, Italia dhe Kanadaja.
Konferenca konfirmoi se rrjetëzimi i biznesit shqiptar në diasporë përbën një urë të rëndësishme lidhëse me Shqipërinë dhe trojet shqiptare, duke krijuar mundësi të reja për investime, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik.




