Muzika shqiptare rikthehet në skenën e Berlinit me një koncert të veçantë nga Shkodra Elektronike, dyshja që ndërthur elemente të muzikës tradicionale dhe folklorit shqiptar me muzikën elektronike, duke krijuar një tingull origjinal ku tradita muzikore shqiptare takohet me ritmet elektronike bashkëkohore. Ky kombinim merr një domethënie të veçantë në Berlin, një qytet me një skenë të konsoliduar dhe me ndikim ndërkombëtar të muzikës elektronike.
Rikthimi i tyre në kryeqytetin gjerman vjen pas performancës në ceremoninë zyrtare të hapjes së panairit ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin, në mars 2025, ku Shqipëria ishte vendi mikpritës (Host Country). Performanca u zhvillua në kuadër të programit kulturor të Shqipërisë për këtë ngjarje ndërkombëtare, përpara përfaqësimit të vendit tonë në Eurovision 2025.
Mbështetja e artistëve shqiptarë dhe prezantimi i krijimtarisë së tyre në skenat ndërkombëtare janë pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për promovimin dhe njohjen e kulturës shqiptare në botë. Shkodra Elektronike përfaqëson një shembull të spikatur të artistëve që promovojnë trashëgiminë muzikore shqiptare përmes krijimtarisë së tyre dhe pjesëmarrjes në skenat ndërkombëtare.
Vendi: SO36, Oranienstrasse 190, 10999 Berlin
Data: 25/11/2026
Ora: 19:00
Ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij koncerti dhe të ndiqni nga afër performancën e Shkodra Elektronike në Berlin!




