Gjermania, zyrtarisht Republika Federale Gjermane, shtrihet në një sipërfaqe prej 357, 386 km2 dhe është vendi më i populluar i Bashkimit Evropian. Kryeqyteti dhe metropoli më i madh që nga ribashkimi i Gjermanisë Lindore me atë perëndimore në 3 tetor 1990, është Berlini. Gjuha zyrtare është ajo gjermane dhe besimi fetar dominues është feja e krishterë.
Republika Federale Gjermane ka qenë një nga vendet themeluese të Komunitetit Ekonomik të Evropës në 1957 dhe të Bashkimit Evropian në vitin 1993.
Si një lider global në disa sektorë teknologjik industrialë, Gjermania është eksportuesi dhe importuesi i tretë më i madh në botë i mallrave. Një vend i zhvilluar me një standard shumë të lartë jetese, ajo mbështet një sistem të kujdesit social dhe kujdesin shëndetësor universal, mbrojtjen e mjedisit dhe edukimin falas në universitetet publike.
Fuqitë e mëdha, përfshirë Gjermaninë, njohën shtetin e ri shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës në dhjetor 1912. Ndërsa populli shqiptar që përpiqej për pavarësi mori pak mbështetje nga Perandoria Gjermane, shteti i ri shqiptar u drejtua nga princi gjerman Wilhelm zu Wied për gjashtë muaj në 1914.
Shqipëria dhe Gjermania kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike në 18 Maj 1922. Që prej 2 tetorit 1987, kur Shqipëria dhe Republika Federale e Gjermanisë rivendosën marrëdhëniet diplomatike, të dy vendet kanë treguar një dëshirë të madhe dhe vullnet të fortë për të rritur bashkëpunimin dypalësh.
Nga momenti kur Shqipëria u fut në procesin e demokratizimit në 1991, partneriteti mes dy vendeve është forcuar gjithnjë e më shumë. Gjermania e konsideron Shqipërinë si një aktor kyç që luan një rol parimor, dinamik dhe stabilizues në Rajonin e Vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria vlerëson shumë asistencën e vazhdueshme të Gjermanisë në reformat e brendshme siç është reforma në drejtësi dhe gjithë mbështetjen që Gjermania ka treguar lidhur me hapjen e negociatave me BE.
“Procesi i Berlinit”, i iniciuar nga ish-Kancelarja Merkel dhe i rivitalizuar nga Kancelari Scholz është dëshmi e qartë e angazhimit të Gjermanisë në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Kuadri ligjor mes dy vendeve është i plotë dhe i shumëanshëm.
Shqipëria dhe Gjermania kanë bashkëpunuar ngushtësisht në kuadrin e organizatave ndërkombëtare.
Marrëdhëniet midis parlamenteve të dy vendeve gjithashtu kanë qenë mjaft intensive, përfshi shkëmbimin e vizitave të niveleve të larta parlamentare dhe angazhimin e Bundestag-ut gjerman në mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve objektiv mbetet vendosja e dimensionit ekonomik në të njëjtin nivel me atë politik.
Shqipëria vlerëson kontributin e vazhdueshëm të Gjermanisë si donatore direkte (përmes granteve, kredive të buta dhe programeve të asistencës teknike) dhe si donatore indirekte nëpërmjet programeve të përbashkëta të BE-së, Bankës Botërore, agjencive të OKB-së në shumë fusha të ekonomisë shqiptare.
Ne inkurajojmë shumë bashkëpunimin me Gjermaninë në fushën e turizmit, promovimin e destinacioneve turistike dhe inkurajimin e investimeve gjermane në fushën e turizmit.
Diaspora shqiptare në Gjermani, e cila është e mirëintegruar në shoqërinë dhe institucionet e të gjitha Landeve gjermane, si dhe numri i konsiderueshëm i të rinjve shqiptarë, që studiojnë në shkollat dhe universitetet më prestigjioze në Gjermani, përbëjnë ura të forta miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.