Më datë 5 prill 2025, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani mori pjesë në festivalin vjetor të Frankofonisë në Berlin, “Fête des Frankofonies”, i cili festoi diversitetin e kulturave frankofone në mbarë botën. Ky aktivitet konsiderohet një moment i rëndësishëm dhe i mirëpritur nga publiku në Berlin, i cili ka çdo vit rreth 2000 vizitorë.
Gjatë festivalit u organizuan aktivitete të ndryshme, përfshirë stenda informative, shfaqje filmash, ekspozita, seminare, shfaqje muzikore kombëtare, degustime të kuzhinave të ndryshme kombëtare dhe programe për fëmijë.
Ambasada shqiptare u prezantua me stendën e saj në këtë aktivitet, ku u ekspozuan materiale informative, broshura dhe revista mbi turizmin, trashëgiminë dhe kulturën shqiptare.