Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Manheim, në datat 18-19 shkurt 2025, organizuar nga Salon Diplomatique.
Fokusi i vizitës ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Manheimit.
U zhvilluan takime produktive në IHK Mannheim me Presidentin Manfred Schnabel, ku diskutimet u fokusuan tek rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe mundësitë për investime.
Takimet vazhduan me bisedime mes Ambasadores Sakiqi dhe Rektorit të Universitetit të Manheim, Prof.Dr. Thomas Fetzner, me qëllim eksplorimin e mënyrave të bashkëpunimit akademik, mbështetjen e studimeve dhe kërkimeve midis universiteteve në Shqipëri dhe Mannheim.
Në të njëjtën kohë, në Universitetin e Manheimit, Ambasadorja Sakiqi pati kënaqësinë të merrte pjesë në një diskutim interaktiv me studentë mbi rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Gjatë bisedës pati një shkëmbim dinamik i ideve dhe perspektivave për zgjerimin e ardhshëm në BE.
Ambasadorja Sakiqi ishte e nderuar dhe e privilegjuar të nënshkruajë Librin e Artë të qytetit të Manheimit së bashku me Kryetaren e Parë të Bashkisë Prof. Dr. Diana Pretzell, duke shënuar një moment historik në partneritetin tonë.
Një falenderim i veçantë për z. Helmut Augustin, z. Folker Zöller, nga Salon Diplomatique Mannheim dhe znj. Kolleta Ejlli, anëtare e shquar e komunitetit shqiptar dhe SD për mbështetjen e tyre të paçmuar në realizimin e kësaj vizite të suksesshme.
Mirëpresim të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë në të ardhmen.