Në Berlin Ditët e Shqipërisë u kremtuan edhe me koncertin klasik me moton “Këngë solemne për miqësinë”
Me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në një atmosferë magjike dhe të ngrohtë, më 27 nëntor 2025, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani organizoi koncertin mbresëlënës “Këngë solemne për miqësinë” në ambjentet prestigjoze të Tischlerei – Deutsche Oper Berlin.
Ky aktivitet i veçantë muzikor kremtoi lidhjen dhe miqësinë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë përmes muzikës dhe kulturës.
Një mbrëmje me vepra të mëdha klasike – nga Wagner deri te tingujt tradicionalë shqiptarë – e gjitha në shenjë të miqësisë mes dy vendeve tona.
Koncerti u hap me një përshëndetje të veçantë të Ambasadores së Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi.
Morën pjesë përfaqësues të institucioneve gjermane, trupi diplomatik dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Gjermani.
Nën magjinë e zërit magjepsës dhe plot shprehësi të sopranos me famë ndërkombëtare Ana Naqe, e shoqëruar nga performanca emocionuese e pianistes pasionante të Deutsche Oper Berlin Elda Laro, violinistit të talentuar të Deutsches Symphonie-Orchester Daniel Vlashi dhe saksofonistit virtuoz Zija “Bushi” Bejleri, publiku përjetoi momente të paharrueshme të një udhëtimi emocional në trashëgiminë artistike shqiptare të interpretuara mjeshtërisht nga artistët tanë.
Mbrëmja u moderua me elegancë nga aktorja e njohur shqiptare në Berlin Ema Ndoja, e cila i dhuroi gjithashtu emocione të forta publikut përmes recitimit.
Mirënjohje dhe falenderime artistëve tanë të jashtëzakonshëm, që përmes artit dhe muzikës së tyre sollën një pjesë të kulturës dhe artit shqiptar, duke e bërë këtë mbrëmje të paharrueshme.
Photo credits: Mimoza Veliu
Gëzuar 28 nëntorin!
Gëzuar Pavarësinë Shqipëria jonë!
Gëzuar festat e nëntorit!




