Më 26 maj 2025, në Universitetin e Regensburgut, në Gjermani, u zhvillua Simpoziumi i 2-të kushtuar Studimeve Albanologjike: ‘Symposium on Language Ideologies and Attitudes of Albanian Heritage Speakers Worldwide: Approaching a New Field’.
Pjesëmarrës ishin studiues nga fushat e albanologjisë, gjuhësisë, letërsisë dhe studimeve kulturore, të cilët diskutuan mënyrat e ruajtjes dhe transformimit të gjuhës shqipe si një gjuhë e trashëgimisë, si në vendet gjermanishtfolëse, ashtu edhe përtej tyre.
Në këtë simpozium ishte e ftuar dhe mori pjesë Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Sakiqi theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë, si një vlerë e identitetit tonë, si dhe bëri thirrje për bashkëpunim mes institucioneve shtetërore, akademisë dhe sektorit privat. Ambasadorja nënvizoi se, vetëm përmes përpjekjeve gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese mund të zhvillojmë strategji të qëndrueshme për të mbështetur komunitetet gjuhësore të trashëgimisë dhe për të promovuar diversitetin kulturor në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur.
Ky simpozium shënoi një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Studimeve Albanologjike dhe ato të Evropës Juglindore. Aktiviteti u organizua nga Universiteti i Regensburgut, në kuadër të projektit SeeFfield, në bashkëpunim me Universitetet e Zyrihut dhe Hamburgut, si dhe u financua nga Fondacioni Vielberth.