Mynih, Gjermani – Në datat 14-16 Shkurt 2025, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani mori pjesë në Edicionin e 61-të të Konferencës së Sigurisë së Mynihut (MSC 2025), i cili është një nga forumet më prestigjioze ndërkombëtare për çështjet e sigurisë dhe politikës globale.
Ministri Hasani zhvilloi një sërë takimesh të frytshme e produktive në këtë konferencë, ku përfshihen shkëmbimet me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Ayman Al-Safadi; Ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Abdullah Al-Yahya; Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla-Shwarz; Senatoren Amerikane, Elissa Slotkin; Anëtarin e Komitetit të Sigurisë Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, Mike Martin; dhe Nënkryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Finlandë, Tytti Tuppurainen.
Përgjatë çdo takimi, Z. Hasani rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në forcimin e partneriteteve, sigurinë rajonale dhe mbështetjen ndaj sovranitetit të Ukrainës.
Sipas Ministrit Hasani, “Multilateralizmi është çelës në adresimin e kërcënimeve hibride dhe ndihmon njëkohësisht në avancimin e agjendës për paqe e siguri të qëndrueshme”.
Gjithashtu, Ministri Hasani ishte i ftuar nderi dhe një nga folësit kryesorë në tryezën e rrumbullakët mbi Taktikat e Zonës Gri në Kontinentin Evropian me fokus diskutimin mbi sfidat e reja të sigurisë evropiane dhe rajonale. Në këtë tryezë, Ministri Hasani nënvizoi nevojën urgjente të një përgjigjeje të fortë e të bashkuar Evropiane ndaj kërcënimeve hibride, sulmeve kibernetike dhe ndaj çdo taktike që synon destabilizimin e kontinentit tonë.
“Lufta në Ukrainë është një kujtesë e fortë se siguria jonë varet në veprimi i përbashkët. Stabiliteti Euro-Atlantik duhet të jetë prioritet kryesor.” – u shpreh ai.
Pjesëmarrja e Ministrit Hasani në këtë forum të rëndësishëm nënvizon angazhimin e Shqipërisë për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbështetjen e paqes dhe stabilitetit global.