Save the Date
Në datat 2- 3 tetor 2024, në Berlin, Gjermani, do të zhvillohet Panairi Global Albanian Gastronomy Festival (GAGF), me temë: “Aty ku tradita takohet me tregtinë.”
Global Albanian Gastronomy Festival (GAGF) është panairi tregtar më i madh shqiptar i organizuar jashtë vendit dhe do të ketë në fokus sektorët që lidhen me gastronominë, menaxhim restorantesh, hotelesh, baresh. furra buke, markete, kompani distribucioni, shefa kuzhine etj.
Sektori i gastronomisë është një sektor ku shqiptarët në Diasporë janë tejet të suksesshëm. Ka mbi 20.000 restorante dhe bare në pronësi të shqiptarëve në Evropë dhe Amerikë dhe ky është një potencial rrjetëzimi biznesor që duhet shfrytëzuar. Ndërkohë, edhe shumë restorante, bare, hotele menaxhohen nga shqiptar apo ata janë pronar të marketeve, furra të bukës apo kompanive të distribucionit.
Gjermania është përzgjedhur si destinacion kyç, në mes të Evropës, për të tërhequr diasporën shqiptare të suksesshme në gastronomi nga Evropa dhe Amerika, për t’ju promovuar produktet shqiptare, për të tërhequr investime dhe për të forcuar e ekonominë e Shqipërisë, por edhe për të vlerësuar dhe festuar arritjet dhe kontributin e tyre.
Ekspozues në pjesën e panairit tregtar do të jenë 150 kompani shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që operojnë në sektorët e ndërtimit, dizanj & mobilim; zinxhirit të vlerës – ushqime, pije, paketim; shërbime digjitale & outsourcing, investime në turizëm.
Programi i GAGF 2024 përfshin:
Panairin tregtar, i cili do t’iu ofrojë ekspozuesve, 150 kompani shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, një platformë për të shfaqur produktet dhe shërbimet e tyre, duke nxitur negociatat dhe krijimin e partneriteteve afatgjata me blerësit e mundshëm.
Seminare dhe panele diskutimi me tematika mbi: të bërit biznes në zinxhirin e vlerës së gastronomisë, ofertën turistike shqiptare, angazhimin e diasporës për investime në Shqipëri, trashëgiminë kulturore dhe historinë e kuzhinës shqiptare etj.
Takimet B2B që do të mundësojnë bashkëpunime, partneritete dhe ndarje të njohurive.
Aktivitete kulturore, me prezencë të kuzhinierëve shqiptarë nga rajone të ndryshme, të cilët do të shfaqin aspekte të ndryshme të kuzhinës shqiptare, por edhe nga kuzhina italiane, franceze, kineze, japoneze etj., të përgatitura prej tyre ose kuzhinierë ndërkombëtarë që punojnë në restorante me pronësi/menaxhim shqiptarë.
Për më shumë informacion rreth eventit dhe pjesëmarrjes, lutemi të konsultoni faqen web: gagfestival.com